Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këtë të mërkurë ka zhvilluar një aksion në Mitrovicën e Jugut, ku ka realizuar një bastisje në një shtëpi dhe objekte përcjellëse, pas dyshimeve për posedim ilegal të armëve.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë të modifikuar, një karikator, 25 fishekë, një granatë dore, një gëzhojë, një peshore si dhe rreth 9 gram substancë të dyshuar narkotike, njofton Dukagjini.
Në lidhje me rastin, është arrestuar një person i dyshuar, ndaj të cilit është iniciuar procedurë penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim i substancave narkotike”.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.