BBC: Kosova në eufori ëndërron historinë e Kupës së Botës

Mediumi prestigjioz, BBC i ka kushtuar një artikull të veçantë Kosovës, duke shkruar për historinë dhe ëndrrën e madhe drejt Botërorit.

BBC ka kujtuar se dhjetë vjet më parë, Kosova nuk kishte luajtur asnjë ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës – tani është vetëm 90 minuta larg kualifikimit në finalet e kësaj vere.

Shteti ballkanik, i cili shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe u njoh zyrtarisht nga FIFA dhe UEFA në vitin 2016, pret Turqinë në plejofin e së martës.

Një fitore do ta dërgonte Kosovën, që renditet e 78-ta në botë, në Kupën e Botës me 48 ekipe, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Ndeshja do të zhvillohet në një stadium “Fadil Vokrri” të mbushur plot në Prishtinë – megjithëse shumica e tifozëve do të detyrohen ta ndjekin nga televizioni.

“Kemi një stadium vetëm për 13 mijë shikues, por po të ishte e mundur, do të kishte 100 mijë,” tha trajneri i Kosovës, Franco Foda, pas fitores 4-3 ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e plejofit.

“Të martën do të kemi një ndeshje historike. Jemi në eufori, por duhet ta luajmë ndeshjen e fundit me qetësi. Në atë rast, gjithçka është e mundur.

“Kemi tifozë shumë emocionalë, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos bëjmë gabime.”

Turqia, e cila nuk është kualifikuar në Kupën e Botës që nga vendi i tretë në vitin 2002, renditet e 23-ta në botë, 55 vende më lart se Kosova.

Megjithatë, Kosova ka treguar se di të përmbysë parashikimet.

Pas një humbjeje 4-0 ndaj Zvicrës në fillim, Kosova mbeti e pamposhtur në pesë ndeshjet e tjera të grupit, duke përfshirë fitore brenda dhe jashtë fushe ndaj Suedisë, si dhe një fitore dhe një barazim ndaj Sllovenisë, përpara se të barazonte sërish me Zvicrën për të siguruar plejofin.

“Kur doli shorti dhe pamë kundërshtarët, nuk ishim shumë optimistë, sidomos pas humbjes 4-0 në ndeshjen e parë,” tha komentatori i RTK-së, Arben Berisha.

“Pastaj gjithçka ndryshoi dhe bëmë diçka të pabesueshme dhe të papritur.

“Fitorja ndaj Sllovakisë është quajtur moment historik për Kombëtaren dhe për Kosovën si shtet. Ishte fitorja më e rëndësishme e arritur ndonjëherë.”

Vendosja e Kosovës në hartën ndërkombëtare

Nëse Kosova kualifikohet, do të luajë në Grupin D, ku do të përballet me Australinë në Vancouver më 13 qershor, Paraguain në San Francisko gjashtë ditë më vonë dhe më pas me Shtetet e Bashkuara në Los Anxhelos më 25 qershor.

Pas luftës së Kosovës në vitet 1998-1999, vendi feston Ditën e Çlirimit më 12 qershor, pas tërheqjes së forcave serbe dhe hyrjes së trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO.

Pavarësia erdhi në vitin 2008, megjithëse deri në dhjetor 2025, nga 193 shtete anëtare të OKB-së, vetëm 110 e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

“Kualifikimi në Kupën e Botës do të ishte historik, duke pasur parasysh se kanë kaluar vetëm 10 vjet që nga pranimi në FIFA dhe UEFA,” shtoi Berisha.

“Disa e kanë quajtur të martën si ditën më të madhe në historinë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Disa thonë se do të ishte dita e tretë historike për Kosovën – pas çlirimit në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë. Kjo do të ishte e treta më e rëndësishme.

“Do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm nëse Kosova kualifikohet, duke pasur parasysh edhe situatën politike. Do të ishte një ndikim i madh në nivel botëror.”

Nga ndeshja e parë ndërkombëtare te pragu i Botërorit

Kosova u lejua të luante ndeshjen e parë nga FIFA në mars të vitit 2014, një barazim 0-0 me Haitin. Ndeshja e dytë ishte pikërisht ndaj Turqisë, që fitoi 6-1.

Më 5 shtator 2016, Kosova luajti ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës, duke barazuar 1-1 me Finlandën, por më pas pësoi nëntë humbje radhazi dhe e mbylli grupin në vendin e fundit, me vetëm tre gola të shënuar në 10 ndeshje.

Megjithatë, Kosova u përmirësua shpejt, duke përfituar edhe nga lojtarë të lindur në vende të tjera evropiane si Gjermania, Zvicra dhe Suedia.

Në kualifikimet për Euro 2020, Kosova kaloi në epërsi ndaj Anglisë në transfertë, para se të humbiste 5-3, por përfundoi në vendin e tretë dhe u eliminua nga Maqedonia e Veriut në plejof.

Ylli i ekipit është Vedat Muriqi, golashënuesi më i mirë në histori me 32 gola në 67 ndeshje, si dhe 18 gola këtë sezon me Mallorcan në La Liga.

Sulmuesi Fisnik Asllani është pjesë e rëndësishme e Hoffenheimit në Bundesligë, ndërsa portieri Arijanet Muric luan për Sassuolon në Serie A.

Mesfushori Edon Zhegrova është pjesë e Juventusit, ndërsa Amir Rrahmani ka fituar dy herë titullin në Serie A me Napolin.

“Edhe pse Turqia është ekip më i fortë dhe ka lojtarë më cilësorë, ata nuk janë shumë të rregullt në kualifikime,” shtoi Berisha. “Ndeshja luhet në shtëpi dhe ky është një avantazh i madh.

“Nëse fitojmë, do të jetë festa më e madhe që është parë ndonjëherë në rrugët e Prishtinës dhe në gjithë Kosovën.”

Një ekip që e bën krenar një komb

Në një intervistë për BBC, ish-kapiteni Anel Rashkaj kujtoi fillimet e vështira të Kombëtares.

“Isha 17 apo 18 vjeç dhe ëndrra ime ishte të luaja për Kombëtaren, pas një lufte,” tha ai.

“Na duhej të luftonim me klubet tona për të luajtur, sepse thoshin ‘nuk është Kombëtare’ dhe ‘nuk është datë e UEFA-s’. Nuk kishim para për grumbullime apo hotele. Gjithçka organizohej nga shqiptarët që jetonin në Evropë.”

“Të jesh sot kaq afër Kupës së Botës, pas gjithë atyre vështirësive, është e pabesueshme.”

Rashkaj do të jetë në stadium për ndeshjen e së martës dhe e përshkroi si një natë emocionale.

“Kemi kaluar kohë shumë të vështira me luftën dhe pas luftës me probleme ekonomike. Njerëzit duan të ndihen të bashkuar dhe të fortë.

“Kombëtarja ua ka dhënë këtë ndjenjë – se mund të bëjmë emër në Evropë.

“Na bën krenar fakti që njerëzit shohin se Kosova ka shumë për t’i dhënë botës.”

 

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika