BE-ja për deklaratat e Kurtit: Nuk i komentojmë akuzat e pabaza

"Sa u përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për Lajcakun e Borrellin", ka deklaruar zëdhënësi i BE-së

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme (BE), Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cilësoi si “akuza të pabaza” pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, duke theksuar se ky i fundit ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të bllokut.

Kurti, më 18 shtator, deklaroi në Prishtinë se gjatë takimit të fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – Lajçak ishte “pozicionuar” kundër Kosovës.

Shefi i ekzekutivit tha se gjatë këtij takimi – që përfundoi pa një rezultat – dukej që kishte një koordinim në mes të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Kurti tha se Lajçaku “ka deformuar” procesin e dialogut, duke pretenduar se ai nuk është përqendruar në zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes drejt normalizimit, por ka lejuar “që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”.

Marrëveshja që Kurti iu referua është arritur më herët gjatë këtij viti. Ajo nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu, palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Stano është pyetur nga gazetarët se si mund të vazhdojë dialogu në këtë format, pasi Kurti hapur ka shprehur mosbesim ndaj lehtësuesit të procesit, të cilin nuk e ka konsideruar si neutral dhe të paanshëm.

“Sa u përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikur edhe për përfaqësuesin e lartë [Josep Borrell]. Ata plotësisht mbështesin përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’u ndihmohet të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet në mes tyre”, tha ai.

Sipas Stanos, mbështetja e fundit për lehtësuesit e dialogut, Borrell dhe Lajçak, ka ardhur përmes komunikatës së lëshuar në emër të 27 shteteve të bllokut më 19 shtator.

“Kjo do të thotë se është një deklaratë e miratuar nga ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare. Dhe kjo deklaratë saktësisht nënvizon pritjet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë dhe si të ecet përpara në dialog”, tha Stano, duke theksuar se në deklaratë në mënyrë “eksplicite kërkohet nga Kosova dhe Seria të ecin me zbatimin e obligimeve të tyre pa vonesa të reja”.

Në këtë deklaratë, që u lëshua pasi Borrell u takua në New York me kryediplomatët evropianë, BE-ja kërkoi edhe themelimin pa vonesa të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./REL

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika