BE-ja nuk e “qorton” Serbinë për votën kundër Kosovës në KiE

Bashkimi Evropian nuk e ka kritikuar Serbinë për votën e saj kundër Kosovës në raportin për rekomandimin e aplikimit në Këshillin e Evropës, duke theksuar se u takon anëtarëve të KiE-së që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme (BE), Peter Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, lidhur me votën kundër të Serbisë ndaj rekomandimit për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka theksuar se është përgjegjësia e anëtarëve të KiE-së të vendosin për çështjet që lidhen me organizatën, duke përfshirë edhe procesin e anëtarësimit të saj.

“Këshilli i Evropës luan një rol qendror në promovimin e vlerave themelore evropiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj”, ka thënë Stano për RTV Dukagjinin, në një përgjigje me shkrim.

Megjithatë, ai ka thënë se BE-ja vazhdon të presë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit në dialogun Kosovë – Serbi.

Stano gjithashtu ka thënë se është e rëndësishme që të gjitha dispozitat e kësaj marrëveshjeje të zbatohen në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim nga të dyja palët, ashtu si u vendos në aneksin e zbatimit në Ohër.

“Pavarësisht nga diskutimet e KiE, në Dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra – për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është mënyra më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës”, ka thënë Stano.

Ai ka theksuar nevojën për t’i përmbushur detyrimet që janë pranuar nga Kosova dhe Serbia në këtë marrëveshje, teksa ka shtuar se deri më tani nga të dyja palët ka pasur progres të kufizuar në zbatimin e tyre.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj marrëveshjeje”, ka thënë tutje ai.

Kosova hedh hapin e parë drejt Këshillit të Evropës, Serbia e Mali Zi kundër

Më 27 mars, me 31 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, është miratuar opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.

Përveç Serbisë, ashtu siç ishte paralajmëruar, edhe përfaqësuesja e Malit të Zi ka votuar kundër Kosovës.

Ky është vetëm hapi i parë drejt Këshillit të Evropës, sepse Kosova duhet të sigurojë edhe 2/3 e votave fillimisht në Asamblenë Parlamentare e pastaj edhe në Komitetin e Ministrave.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika