Begaj: Akademia e Shkencave pati edhe rol atdhetar e patriotik

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në pesëdhjetë vjetorin e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës tha se sot kremtohet rrugëtimi gjysmëshekullor i dijës, sakrificës, dhe përkushtimit intelektual, qytetar e kombëtarë.

“Festojmë jetën e një institucioni që u lindi në kushte të vështira, por që u ngrit në lartësinë e institucioneve të tjera simotra të kombeve të zhvilluara. Kosova ishte një histori e trashëgimi të çmuar dijesh të hershme, përpara se kjo godinë e ky institucion të merrnin formën që ka sot”, tha Begaj.

Presidenti shqiptar në fjalën e tij në pesëdhjetëvjetorin e ASHAK-ut tha se në kohët më të vështira, Akademia e intelektualët e Kosovës patën edhe një rol atdhetar e patriotik.

“Ata mbrojtën gjuhën e historinë, identitetin shqiptar kur ato ishin të kërcënuara. Patriotizmi i tyre u shpreh jo vetëm me fjalë të mëdha, por me punë të palodhur shkencore, krijimtari të guximshme dhe këmbëngulje për të thënë të vërtetën”, tha ai.

Begaj tha se historia e shqiptarëve të Kosovës nuk është histori a e një populli me institucione të lira.

“Është historia e pengesave të qëllimshme, e kufizimeve politike e sociale nga një sistem i egër, represiv e kriminal që synonte në ndalte çdo afirmim kulturor, shkencor dhe dinjitar kombëtar shqiptar. Sa më i fortë presioni , aq më e madhe ishte përgjigjja e elitës intelektuale të Kosovës”, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Begaj, tha se pas shumë përpjekjesh e sakrificash dhe falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve evropian, shqiptarët jetojnë një moment të paprecedentë.

“Kemi dy shtete shqiptare, dy Akademi Shkencore që u shërbejnë një kombi. Është hera e parë në historinë tonë që dija shqiptare mund të zhvillohet pa pengesa në liri e bashkëpunim të plotë. Kjo na jep jo vetëm siguri, por edhe fuqi për të ecur përpara për tu ngritur si komb përmes dijes, krijimtarisë dhe përmes shpirtit. E kaluara na ka mësuar vlerën e dijës dhe e ardhmja na kërkon të shndërrojmë këtë dije në forcë zhvillimi për shoqërinë tonë”, tha presidenti shqiptar, Begaj./RTK

Të fundit nga rubrika