Beogradi i hap rrugën kompleksit të Jared Kushnerit në vendin e goditur nga NATO

Parlamenti i Serbisë ka miratuar një ligj që i hap rrugën një projekti të diskutueshëm të zhvillimit të pronës në Beograd, të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Kompania e tij, Affinity Partners, synon të ndërtojë një kompleks luksoz hotelesh dhe apartamentesh në vendin ku dikur ndodhej selia e Ushtrisë Jugosllave – një ndërtesë e shkatërruar nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999 gjatë ndërhyrjes për të ndalur fushatën ushtarake të Serbisë në Kosovë. Objekti ka vlerë simbolike për shumë serbë, të cilët e shohin atë si një memorial dhe shenjë të qëndresës ndaj aleancës ushtarake perëndimore.

Vitin e kaluar, qeveria serbe i hoqi ndërtesës statusin e mbrojtur dhe arriti një marrëveshje 99-vjeçare me kompaninë e Kushnerit për një projekt me vlerë rreth 500 milionë dollarë. Ky vendim shkaktoi protesta dhe hapi hetime lidhur me dyshimet se një zyrtar serb kishte falsifikuar dokumentacionin për ndryshimin e statusit të objektit, raporton BBC përcjell Dukagjini.

Në një intervistë për BBC në qershor, presidenti Aleksandar Vuçiq kishte mbrojtur projektin, duke theksuar se “është e rëndësishme të kapërcejmë barrën e vitit 1999” dhe se Serbia duhet të ndërtojë “marrëdhënie më të mira me SHBA-në”.

Procesi i bllokuar prej muajsh mori fund të premten e 11 nëntorit, kur partia në pushtet e Vuçiqit, e cila ka shumicë në parlament, organizoi një votim të posaçëm për pastrimin e zonës, i cili kaloi me sukses.

Opozita e ka quajtur vendimin antikushtetues. Deputeti Aleksandar Jovanoviq e cilësoi atë si “krim”, duke deklaruar se simboli historik i Beogradit do të zëvendësohet “me kazino dhe xhakuzi”. Ndërsa deputetja qendër-e-majta Marinika Tepiq tha se qeveria po “sakrifikon historinë e vendit për t’i bërë qejfin Trumpit”.

Vendimi është kritikuar gjithashtu nga ekspertë të arkitekturës dhe organizata si Transparency Serbia, që ka ngritur shqetësime për projektet shtetërore të mbështetura nga qeveria.

Sipas mediave serbe, Donald Trump kishte shprehur interes për të ndërtuar një hotel në Beograd që para kandidimit të tij për president, megjithëse Jared Kushner ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për këtë.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur qeveria e Vuçiqit po përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira si me Uashingtonin ashtu edhe me Moskën, ndonëse Serbia është prekur si nga tarifat tregtare të Trumpit, ashtu edhe nga sanksionet ndaj interesave ruse në vend, përfshirë kompaninë e vetme të rafinimit të naftës, Nafte Industrija Srbije (NIS), me shumicë aksionesh ruse.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika