Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj asaj që e ka quajtur përhapje të qëllimshme të dezinformatave dhe propagandës nga disa portale në Kosovë, të cilat, sipas tij, kanë keqinterpretuar një artikull të gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ).
Bislimi ka theksuar se në asnjë kapacitet të tij institucional, përfshirë edhe atë të zëvendëskryeministrit, nuk ka pasur kurrë “”takime të fshehta apo sekrete”, e aq më pak me zyrtarë serbë si Marko Gjuriq.
Sipas tij, një pretendim i tillë nuk është bërë as nga vetë gazeta zvicerane NZZ, e cila njihet për standardet e larta profesionale në raportim.
“Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës.
Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ.
Dezinformatat e shumta të shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t’i adresoj përmes ankesës/padisë në institucionet relevante”, ka shkruar Bislimi.