Bizneseve nuk u ndalet rryma, ZRRE në heshtje pasi gjykata “anuloi në tërësi” vendimin e saj

Përkundër se në mesnatë ka skaduar periudha 60 ditore e furnizimit të përkohshëm nga KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, deri tani bizneset e mëdha që nuk kanë siguruar kontrata, nuk kanë mbetur pa rrymë. Ndërkohë, një aktgjykim i Gjykatës Komerciale "anuloi në tërësi vendimin e ZRRE-së" dhe aprovoi masën e përkohshme. Rregullatori, ndërkohë, mbetet në heshtje.

Edhe pse të mërkurën u përfundoi periudha 60 ditore e furnizimit të përkohshëm nga KEK-u, bizneset e mëdha, që nuk kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar në tregun e hapur, nuk janë shkyçur.

Pak orë para fundit afatit për furnizim të përkohshëm nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, u publikua një aktgjykim i Gjykatës Komerciale – që anulon në tërësi vendimin e ZRRE-së për hapjen e tregut, e po ashtu aprovon masën e përkohshme të pezullimit.

“ANULOHET në tërësi njoftimi i datës 12.03.2025 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji, si i kundërligjshëm”.

Të enjten, Rregullatori nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me situatën pas aktgjykimit të Komerciales.

Krahas thirrjes që ZRRE-ja t’i bindet aktgjykimit të shkallës së parë, në Shoqatën e Prodhuesve në kuadër të Odës Ekonomike konfirmuan se bizneseve nuk u është ndalur furnizimi me rrymë.

“ZRRE të vendosë ashtu sikur ka vendosë Gjykata, ta pezullojë këtë proces të liberalizimit në tërësi për të gjitha bizneset, t’i kthejë të gjitha bizneset në tregun e rregulluar deri në vendimin e radhës të formës së prerë nga Gjykata, ashtu siç përmendet edhe në aktgjykim”, ka thënë Ajvazi.

Teksa tha se ende nuk kanë marrë njoftim zyrtar nga ZRRE-ja, Ajvazi vuri në pah paqartësitë lidhur me atë se nga kush po furnizohen bizneset – ndërsa shtoi se tek tash i kanë marrë faturat e muajit qershor nga KEK-u.

“Nuk e dimë sot ende nga kush janë duke u furnizuar, mirëpo na sot në mëngjes ku jemi çu i kemi pa që na kanë ardhë faturat mbrëmë vonë në mesnatë nga KEK-u, si FMF, për muajin Qershor. Ajo çka mund të konfirmojmë në bazë të disa kalkulimeve të disa faturave nga subjektet që i pashë ka dyfishim të çmimit të energjisë elektrike krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Ndërsa se nga jemi duke u furnizu besoj që shumë shpejtë merret vesh”, ka shtuar Ajvazi.

Sipas Ajvazit, bazuar në faturat që kanë pranuar, çmimi për një megavatë orë nga KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, shkon deri në 165 euro.

Duke kërkuar që Prokuroria të hetojë procesin, deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami tha se po rrezikohen mbi 140 mijë vende të punës.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, nëse sot nuk e pezullon vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë në vend”, ka thënë Bajrami.

Bazuar në njoftimin e muajit mars, Zyra e Rregullatorit për Energji ka nxjerrë në tregun e hapur të energjisë elektrike rreth 1300 biznese me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor.

Derisa bizneset, me protesta kanë kundërshtuar këtë vendim dhe qindra prej tyre kanë paditur Rregullatorin, vetëm rreth 100 biznese janë bindur duke nënshkruar kontrata furnizimi.

Shija e redaktorit

Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me...

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror. Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e...

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për moskonstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarim juridik lidhur me situatën pas përfundimit të afatit kushtetues...

Të fundit nga rubrika