Blinken: Qëllimi i vizitës në Kinë, shmangia e vlerësimeve të gabuara

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se vizita e tij e ardhshme në Kinë synon të hapë një komunikim më të mirë, duke zgjidhur “keqkuptimet” dhe duke shmangur “vlerësimet e gabuara”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 16 qershor se vizita e tij e ardhshme në Kinë synon të hapë një komunikim më të mirë, duke zgjidhur “keqkuptimet” dhe duke shmangur “vlerësimet e gabuara”, raportoi AFP.

“Konkurrenca intensive kërkon diplomaci të qëndrueshme, për të siguruar që konkurrenca të mos kthehet në konfrontim apo konflikt”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Uashington.

“Kjo është ajo që bota pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina”, theksoi ai.

Blinken do të qëndrojë në Pekin më 18 dhe 19 qershor. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në këtë vend, në pothuajse pesë vjetët e fundit.

Vizita ishte planifikuar për në muajin shkurt, por u shty pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin zbuluar dhe më pas edhe rrëzuar një balonë spiunazhi kineze.

Qëllimi i parë i udhëtimit në Kinë, tha Blinken, është “të vendosim komunikime të hapura dhe të fuqishme, në mënyrë që dy vendet tona të menaxhojnë marrëdhëniet tona me përgjegjësi”.

Siç theksoi ai, qëllimi i vizitës është prezantimi i fakteve për interesat dhe vlerat e SHBA-së, si dhe të hulumtohen fushat e bashkëpunimit të mundshëm mes dy vendeve, duke përfshirë stabilitetin ekonomik global, luftën kundër trafikut të drogës dhe çështjet klimatike dhe shëndetësore.

Blinken u tha gazetarëve se ai do të ngrinte gjithashtu çështjen e qytetarëve amerikanë të arrestuar nga Kina.

Kina ka arrestuar një numër shtetasish amerikanë, me akuza të ndryshme, duke përfshirë Kai Li, një biznesmen i akuzuar për spiunazh në vitin 2016 dhe David Lin, pastorin amerikan që është në paraburgim që nga viti 2006. /REL

Shija e redaktorit

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Të fundit nga rubrika