Blinken: Qëllimi i vizitës në Kinë, shmangia e vlerësimeve të gabuara

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se vizita e tij e ardhshme në Kinë synon të hapë një komunikim më të mirë, duke zgjidhur “keqkuptimet” dhe duke shmangur “vlerësimet e gabuara”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 16 qershor se vizita e tij e ardhshme në Kinë synon të hapë një komunikim më të mirë, duke zgjidhur “keqkuptimet” dhe duke shmangur “vlerësimet e gabuara”, raportoi AFP.

“Konkurrenca intensive kërkon diplomaci të qëndrueshme, për të siguruar që konkurrenca të mos kthehet në konfrontim apo konflikt”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Uashington.

“Kjo është ajo që bota pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina”, theksoi ai.

Blinken do të qëndrojë në Pekin më 18 dhe 19 qershor. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në këtë vend, në pothuajse pesë vjetët e fundit.

Vizita ishte planifikuar për në muajin shkurt, por u shty pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin zbuluar dhe më pas edhe rrëzuar një balonë spiunazhi kineze.

Qëllimi i parë i udhëtimit në Kinë, tha Blinken, është “të vendosim komunikime të hapura dhe të fuqishme, në mënyrë që dy vendet tona të menaxhojnë marrëdhëniet tona me përgjegjësi”.

Siç theksoi ai, qëllimi i vizitës është prezantimi i fakteve për interesat dhe vlerat e SHBA-së, si dhe të hulumtohen fushat e bashkëpunimit të mundshëm mes dy vendeve, duke përfshirë stabilitetin ekonomik global, luftën kundër trafikut të drogës dhe çështjet klimatike dhe shëndetësore.

Blinken u tha gazetarëve se ai do të ngrinte gjithashtu çështjen e qytetarëve amerikanë të arrestuar nga Kina.

Kina ka arrestuar një numër shtetasish amerikanë, me akuza të ndryshme, duke përfshirë Kai Li, një biznesmen i akuzuar për spiunazh në vitin 2016 dhe David Lin, pastorin amerikan që është në paraburgim që nga viti 2006. /REL

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika