Bloomberg: Perëndimi nuk mund të lejojë që Kosova të zhbëhet

Mediumi amerikan, Bloomberg, ka publikuar një analizë në të cilën ka shkruar se BE-ja ka caktuar afat kohor që Kosova e Serbia deri në mars të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve

Foto ilustrim nga AFP/Getty Images: Trupat e NATO-s

Mediumi prestigjioz amerikan, Bloomberg, në një analizë të publikuar të enjten, ka bërë thirrje që shtetet perëndimore t’i kushtojnë vëmendje më të madhe situatës në Kosovë.

“Perëndimi nuk mund të lejojë që Kosova të zhbëhet”, është titulluar analiza, në të cilën thuhet se duhet diplomaci më e sigurt për të parandaluar një luftë tjetër ballkanike.

Siç ka shkruar tutje mediumi në fjalë, më shumë se dy dekada që kur NATO hyri në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit është sërish në rrezik.

Po ashtu, sipas analizës të këtij mediumi, përshkallëzimi i fundit i tensioneve në veri rrezikon trupat e NATO-s të stacionuara në Kosovë.

“Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur mundësinë e ripërtëritjes së luftimeve që mund të tërheqin Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3 mijë e 700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, thuhet në analizën e publikuar.

“Teksa qeveritë perëndimore janë të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim. SHBA-ja dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi dyja palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të shmanget një luftë tjetër ballkanike, para se të fillojë”, thuhet tutje në këtë analizë.

Gjithashtu, në analizën e publikuar është rrëfyer shkurtimisht se kur u intensifikua “përplasja” mes dy shteteve.

“Serbia refuzon ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe ka mbështetur përpjekjet e serbëve etnikë që jetojnë në veri të vendit për t’i rezistuar autoritetit të qeverisë qendrore në Prishtinë”, thuhet në analizë.

“Afati kohor nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”

Ndërkaq, në analizë është shkruar se BE-ja ka caktuar afat kohor që Kosova e Serbia deri në mars të arrijnë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

“Edhe pse perspektivat për sukses duken të zbehta, alternativa është më e keqe”, thuhet në këtë analizë që vazhdon se negociatat e dështuara do të nxisnin tensione të mëtejme.

“Evropa nuk mund të përballojë një luftë tjetër. Parandalimi i një të tillë do të kërkojë rritjen e angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për të rifilluar dialogun. Diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalojnë së sulmuari policinë dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë. BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në bashkim derisa Beogradi të angazhohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Nga ana e saj, SHBA-ja duhet t’u bëjë të qartë udhëheqësve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e pacaktuar. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që u jep komuniteteve serbe një vetëqeverisje më të madhe”, thuhet në analizë.

Për dekada, shtetet e Ballkanit Perëndimor, sipas mediumit Bloomberg, kanë ngecur të shmangin historinë e ndarjes dhe konflikteve. “Diplomacia e qëndrueshme perëndimore është e nevojshme për të shmangur një luftë tjetër në rajon – dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më shpresëdhënëse për popujt”, përfundon analiza.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika