Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje historike ushtarake për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore, në kuadër të një traktati 50-vjeçar që pritet të nënshkruhet këtë fundjavë.
Njoftimi u bë pas takimit të përvitshëm në Sidnej mes ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të të dy vendeve – John Healey dhe David Lammy nga pala britanike, si dhe Richard Marles dhe Penny Wong nga pala australiane.
Zëvendëskryeministri australian dhe njëherësh ministër i Mbrojtjes, Richard Marles, deklaroi se traktati është ndër më të rëndësishmit që dy vendet kanë nënshkruar që prej formimit të federatës australiane në vitin 1901. Ai sqaroi se marrëveshja do të mundësojë prodhimin e nëndetëseve australiane me ndihmën e teknologjisë bërthamore amerikane dhe britanike.
Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj pasigurive që kanë lindur rreth marrëveshjes trepalëshe AUKUS, të arritur në vitin 2021 ndërmjet Australisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, me synim përballjen me fuqinë ushtarake në rritje të Kinës. Në kuadër të AUKUS, SHBA-ja ishte zotuar të furnizonte Australinë me tetë nëndetëse, përfshirë disa të klasit “Virginia”.
Megjithatë, me ardhjen e administratës së re në Uashington dhe nisjen e një rishikimi të marrëveshjes AUKUS nga Sekretari aktual amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, janë shfaqur dyshime nëse SHBA do të arrijë të përmbushë premtimin për dërgimin e nëndetëseve para vitit 2030. Kjo për shkak të vonesave në programin amerikan të prodhimit ushtarak.
Përballë kësaj situate, Britania dhe Australia kanë vendosur të forcojnë bashkëpunimin e tyre bilateral, duke garantuar ndërtimin dhe modernizimin e flotës nëndetare të Australisë edhe pa pritur përparimin e marrëveshjes AUKUS.