Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, planifikon ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez pas përfundimit të vizitës shtetërore të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Londër.
Sipas raporteve, Starmer synon të ndërmarrë këtë hap përpara se disa vende të udhëhequra nga Franca ta diskutojnë çështjen në një samit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork javën e ardhshme, në sfondin e shqetësimeve të mëdha për luftën e vazhdueshme në Gaza.
Gazeta “The Times of Izrael” shkruan se Starmer po përballet me presion të madh nga brenda Partisë Laburiste për ta njohur shtetin palestinez. Megjithatë, ai ka vendosur ta shtyjë vendimin deri pas largimit të Trump, në mënyrë që kjo çështje të mos dominojë konferencën e përbashkët për shtyp të planifikuar për të enjten.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë fuqimisht një veprim të tillë, duke argumentuar se kjo do të përbënte një shpërblim për grupin terrorist Hamas, pas sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.
Starmer kishte deklaruar që në korrik se Mbretëria e Bashkuar do ta njihte Palestinën në shtator, përveç nëse qeveria izraelite do të ndërmerrte hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës dhe krizës humanitare në Rripin e Gazës, si dhe për t’u angazhuar në një proces paqeje të qëndrueshëm.