Britania e Madhe ka rënë dakord t’i lejojë Shteteve të Bashkuara të përdorin bazat e saj për të kryer sulme ndaj objektivave iraniane që lidhen me ngushticën e Hormuzit.
Qeveria britanike më herët kishte lejuar forcat amerikane të përdorin bazat britanike për operacione me qëllim parandalimin e Iranit nga lëshimi i raketave që rrezikojnë interesat apo jetët britanike, shkruan BBc, transmeton Dukagjini.
Megjithatë, ministrat në Mbretërinë e Bashkuar kanë rënë dakord gjatë një mbledhjeje të zhvilluar sot që përdorimi i bazave britanike nga SHBA-ja të zgjerohet për të përfshirë edhe mbrojtjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Britania e Madhe nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në këto sulme dhe qeveria thekson se “parimet që udhëheqin qasjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj konfliktit mbeten të pandryshuara”.
Një zëdhënës qeveritar ka deklaruar se ministrat janë pajtuar që bazat mund të përdoren për “operacione mbrojtëse amerikane” që synojnë “kapacitetet që përdoren për sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit”.
Ai ka shtuar se ministrat kanë nënvizuar nevojën për ulje urgjente të tensioneve dhe një zgjidhje të shpejtë të konfliktit.