Buja premton dy rrethrrotullime të reja dhe nënkalime moderne për Lipjanin

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar një projekt të ri infrastrukturor, të cilin e quan strategjik për zhvillimin urban të qytetit.

Sipas tij, Lipjani ka nevojë për hyrje moderne, të sigurta dhe funksionale, prandaj ka paralajmëruar ndërtimin e dy rrethrrotullimeve të reja në pikat më të rëndësishme hyrëse të qytetit.

“Lipjani ka nevojë për hyrje të denja, moderne dhe të sigurta në qytet.

Prandaj, do të ndërtojmë dy rrethrrotullime të reja, në pikat më të rëndësishme hyrëse të qytetit – me standarde të reja urbane, për qarkullim të lehtësuar dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Rrethrrotullimi i parë do të ndërtohet në kryqëzimin e rrugëve “Avdi Kelmendi”, “Lekë Dukagjini” dhe “Ibrahim Rugova” – një pikë kyçe për hyrje në qytet. Krahas tij, do të ndërtohet edhe një nënkalim për këmbësorë dhe shteg për çiklistë, për të garantuar lëvizje të sigurt dhe të organizuar për të gjithë.
Rrethrrotullimi i dytë do të vendoset në kryqëzimin e rrugëve “Haxhi Kleqka”, “Marie Shllaku” dhe “Ibrahim Rugova” – duke përmirësuar ndjeshëm qasjen në qytet nga jugu dhe duke pakësuar ndjeshëm bllokadat në komunikacion.
Edhe këtu do të ndërtohet një nënkalim modern për këmbësorë dhe shteg për çiklistë, sepse qyteti ynë duhet të jetë i qasshëm dhe i sigurt për të gjithë: drejtues automjetesh, këmbësorë, të rinj dhe familjarë.
Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukture është një ndërhyrje strategjike për një Lipjan që lëviz më lirshëm, më sigurt dhe më shpejt drejt së ardhmes.
Sepse Lipjani nuk mund të presë më. Ka ardhur koha për zgjidhje të guximshme dhe projekte që e transformojnë jetën tonë të përditshme”, ka shkruar Buja.

Të fundit nga rubrika