Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar vizionin e tij për rregullimin e lumit Sitnica dhe krijimin e hapësirave urbane për qytetarët.
Në një postim në Facebook, Buja tha se gjatë mandatit të tij do të fillojë rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në pjesën pranë rrugës “Hajredin Bajrami”.
Sipas tij, hapësira aktuale e degraduar do të transformohet në një zonë funksionale dhe atraktive për qytetarët.
Ai shton se projekti është një investim në cilësinë e jetës, mirëqenie dhe kohën e lirë të qytetarëve, duke e përshkruar vizionin e tij për një Lipjan të pastër, të gjelbër dhe me hapësira për familje, fëmijë, të rinj e të moshuar.
“Do të ndërtojmë shtigje për ecje dhe çiklizëm, do të krijojmë kënde lojërash për fëmijë, hapësira për relaks dhe gjelbërim – një zonë urbane e re që do t’i japë frymëmarrje qytetit dhe do të afrojë njerëzit me natyrën. Ky projekt nuk është vetëm rregullim i një shtrati lumi është investim në cilësinë e jetës, në mirëqenie, në kohën e lirë, në qytetin që duam t’ua lëmë brezave të ardhshëm”, ka shkruar Buja.
“Qyteti nuk rritet vetëm me ndërtesa, rritet me kujdes për natyrën, ambientin dhe njerëzit. Lipjani i së nesërmes fillon sot me projekte që prekin jetën tuaj çdo ditë”, theksoi Buja.