Bujqit në Greqi protestojnë para Parlamentit kundër çmimit të naftës

Bujqit grekë kanë protestuar pranë ndërtesës së Parlamentit grek kundër çmimit të naftës. Së paku 8 mijë bujq, bletarë dhe mbarështues të blegtorisë iu bashkuan kësaj proteste

Bujqit grekë i vendosin traktorët e tyre para Parlamentit në Athinë, për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së prodhimit, 20 shkurt 2024. Foto: AFP

Bujqit grekë kanë protestuar duke i rënë borive të traktorëve të tyre pranë ndërtesës së Parlamentit grek të mërkurën, pasi e kaluan natën në qendër të Athinës për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së prodhimit për të dytën ditë radhazi.

Së paku 8 mijë bujq, bletarë dhe mbarështues të blegtorisë iu bashkuan protestës në sheshin “Syntagma” të martën, duke i bërë jehonë protestave të ngjashme nëpër Evropë.

Shumë prej tyre e kaluan natën në shesh, para se të fillonin të lëviznin të mërkurën.

“Ne e morëm këtë vendim dhe tani po presim rezultatin”, tha bujku Konstantinos Kyriakopoulos, 34 vjeç, nga rajoni jugor i Greqisë, Mesinia.

Bujqit thonë se janë prekur edhe nga ndryshimi klimatik, pasi vërshimet e paparashikueshme, të nxehtit ekstrem dhe zjarret janë duke e bërë punën e tyre edhe më të rrezikshme.

Ata i kanë bllokuar shkurtimisht rrugët dhe pikëkalimet për disa javë, derisa sindikatat e tyre kanë biseduar me qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për ndihmë financiare.

Qeveria u ka ofruar atyre deri tani zbritje në faturën e rrymës dhe zgjatjen e zbritjes tatimore për naftën në bujqësi deri në fund të vitit 2024.

Qeveria greke ka thënë se është e gatshme të bisedojë për një skemë të përhershme për zbritje tatimore, por nuk ka shanse për koncesione shtesë këtë vit.

Në Indi, policia përdori gaz lotsjellës të mërkurën për t’i shpërndarë mijëra bujq protestues, të cilët kërkuan ta rifillonin një marsh në Nju Delhi, pasi e hodhën poshtë një ofertë të Qeverisë për çmimet e produkteve të tyre. /REL

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika