Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, vetëm një javë pas dështimit për t’i ndaluar ata të merrnin pjesë në procesin zgjedhor. Ky vendim, i marrë me dy vota kundër, gjashtë abstenime dhe tri për, vjen pas një serie përpjekjesh të dështuara për t’ua pamundësuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, qoftë lokale apo parlamentare.
Rreth kësaj situate, në FIVE të TV Dukagjinit, analisti politik Muhamet Bytyçi ka komentuar me kritika.
Ai e ka cilësuar moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe si një “çështje puro politike” dhe një “serial” që po imponon Lëvizja Vetëvendosje para qytetarëve të Kosovës.
“Kjo është çështje puro politike. Ose një serial të cilin po e imponon LVV-ja para qytetarëve të Kosovës. I cili vetëm po e dëmton reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Dhe po i shërben një agjende që nuk është në interes të qytetarëve, përkundrazi për herë të tretë po e shohim këtë serial. I cili po orientohet nga një strukturë politike që në një formë të trekëndëshit Albin Kurti, Sami Kurteshi dhe zyrtarë tjerë që po i shërbejnë kësaj agjende. E kam quajtur një qasje ‘kurteshiane’, e cila vetëm për të krijuar zhurmë, e për të moszgjidhur asnjë problem… mungesa e politikave zhvillimore ose sukseseve qeveritare po na çon drejtë një agjende nacionaliste polarizuese. Që nuk po i shërben fare e në fund të ditës për herë të tretë po e humb LVV-ja përballë ligjeve dhe institucioneve. Po humb edhe Kosova në aspektin ndërkombëtar”, ka thënë Bytyçi.
Kjo nuk është hera e parë që KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe. Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe lokale, ky institucion ka vepruar në mënyrë të ngjashme, ndërsa në të gjitha rastet PZAP-ja ka rrëzuar vendimin e KQZ-së.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 ulëset e garantuara për pakicën serbe në Kuvend, ndërsa në zgjedhjet lokale të tetorit, ajo arriti të fitojë të gjitha 10 komunat me shumicë serbe.