Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se vendimi sqaroi njëherë e mirë parimet mbi afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se çështja e dekretit të presidentes Osmani u trajtua si vendim pa efekt juridik dhe jo si akt antikushtetues, pasi Gjykata pranoi se afati 30-ditor është detyrues dhe mosrespektimi i tij ka pasoja, por këto pasoja aktivizohen përmes afatit 60-ditor të nenit 82 dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’.
Cakolli shpjegoi se vendimi i Kushtetueses zgjidhi dilemën mes afateve 30 dhe 60 ditë: ato nuk funksionojnë veçmas, por si një mekanizëm i vetëm, ku procedura duhet të fillojë herët dhe 30 ditët e fundit janë një zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet.
Ai shtoi se standardi i vendosur nga Gjykata parashikon që koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur është në gjendje të veprojë. Prandaj, nuk ka 60 ditë të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një afat që ka filluar më herët dhe është i kufizuar nga moskonstituimi i Kuvendit.
Cakolli theksoi se vendimi balancon situatën dhe jep kohë institucioneve për të përmbyllur procesin, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e afateve kushtetuese mbetet te institucionet dhe partitë parlamentare, jo sipas interesave politike.