Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një përpjekje të qartë për të korrigjuar precedentët e paqartë që për një dekadë kanë ndihmuar në krijimin e krizave politike.
Sipas tij, vendimi nuk është thjesht një përgjigje ndaj një procedure të kontestuar, por një ritransim i rrugës drejt funksionalitetit institucional.
Cakolli kujton se Gjykata kishte përcaktuar qysh më 26 qershor se votimi i fshehtë nuk është i pranueshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në këtë legjislaturë, por për shkak të interpretimit të qëllimshëm partiak, ajo u detyrua të artikulojë vendimin në mënyrë që të mos linte hapësirë për “keqkuptime”.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk është thjesht një përgjigje ndaj një procedure të kontestuar. Është një përpjekje për të përmirësuar një trashëgimi precedentësh të paqarta që për një dekadë kanë ndihmuar në gjenerimin e krizave politike. Po, vendimi i vitit 2014 ishte problematik. Por sot, Gjykata po e ritrason me qartësi rrugën drejt funksionalitetit institucional.
Është e qartë për këdo që ndjek me kujdes zhvillimet se Gjykata, qysh më 26 qershor, kishte përcaktuar se votimi i fshehtë nuk është i pranueshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në këtë legjislaturë. Por për shkak të një interpretimi të qëllimshëm partiak që tentoi ta relativizojë këtë standard të qartë, Gjykata u detyrua të artikulojë vendimin në një mënyrë që nuk lë më hapësirë për “keqkuptime”.
Përtej konstatimit se veprimet e Kryesuesit Avni Dehari ishin kundërkushtetuese dhe se seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik janë të pavlefshme, thelbi i vendimit qëndron në rikthimin e procedurës në pikën ku u devijua. Tashmë, është obligim kushtetues që Kryesuesi të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të seancës së 8 prillit dhe partia më e madhe të propozojë kandidatin për Kryetar Kuvendi. Ky kandidat mund të votohet vetëm tri herë – jo pafundësisht – çka shënon një ndarje të qartë me logjikën e kandidaturave të përsëritura që prodhojnë ngërç institucional”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli e sheh këtë kufizim jo si improvizim formal, por si standard logjik e mekanizëm thelbësor të sistemit parlamentar, i cili njeh legjitimitetin përmes shumicës dhe konsensusit, jo imponimit të kandidaturave.
Për të, vendimi rikthen kompromisin nga retorikë politike në instrument funksional të demokracisë parlamentare.
“Vendosja e këtij kufiri nuk është improvizim formal, por standard logjik dhe mekanizëm substancial i vetë sistemit parlamentar. Në thelb, ky është një sistem që e njeh legjitimitetin përmes shumicës dhe konsensusit, e jo imponimit të kandidaturave. Përmes këtij limitimi, Gjykata ka qartësuar se e drejta për të propozuar nuk është simbolike, dhe se kandidatura nuk mund të sillet pafund përpara deputetëve në mungesë të përkrahjes së domosdoshme. Kjo është një mënyrë për të kthyer kompromisin nga retorikë politike në instrument funksional të demokracisë parlamentare.
Megjithatë, vendimi lë pas një çështje që meriton më shumë sqarim. Duke e rikthyer afatin 30-ditor në pikën zero, por pa përcaktuar qartë (të paktën bazuar në dispozitiv) pasojat në rast të ndonjë shkeljeje të re nga Kryesuesi apo në rast të dështimit të përsëritur për konstituim, krijohet një hapësirë e rrezikshme për vakum juridik. Pyetja e vetme që mbetet është: nëse edhe tani, në përpjekjen e radhës, ndodh një devijim i ngjashëm me atë të mëparshëm, a do të konsiderohet i konsumuar apo jo afati kushtetues? A do të duhej vendi të shkonte automatikisht në zgjedhje apo do të përsëritej e njëjta logjikë e anulimit të afatit?”, ka shtua ai.
Megjithatë, ai paralajmëron se vendimi lë pas një çështje të pazgjidhur: çfarë ndodh nëse përsëriten shkelje ose dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor. Sipas tij, rikthimi i afatit në pikën zero, pa përcaktuar qartë pasojat në rast të dështimit të ri, mund të krijojë një vakum juridik.
“Kjo dilemë është në fakt në zemër të kërkesës fillestare të Presidentes së Republikës – e cila, pavarësisht tërheqjes së saj formale, kërkonte pikërisht sqarim mbi pasojat juridike në rast të dështimit për konstituim të Kuvendit brenda afatit kushtetues. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që Gjykata ta adresojë këtë boshllëk interpretues, për të ndërtuar një precedent të pakontestueshëm që garanton siguri kushtetuese dhe parandalon keqpërdorimin e afateve.
Përfundimisht, me vendimin e fundit, Gjykata po e ndryshon drejtimin e praktikës dhe po e zëvendëson doktrinën e vitit 2014, me një praktikë më funksionale dhe në përputhje me frymën e Kushtetutës. Edhe nëse do të ketë sulme politike ndaj Gjykatës – siç ka tashmë, me deklarata nga eksponentë partiakë – ato nuk mund të fshehin faktin se standardi po konfigurohet drejt, e kjo i shërben sistemit, jo ndonjë partie në veçanti”, ka shkruar Cakolli.