Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i është drejtuar zyrtarisht UEFA-s dhe FIFA-s, duke kërkuar sqarim urgjent lidhur me procesin zgjedhor në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), harmonizimin e Statutit dhe respektimin e standardeve të qeverisjes së mirë.
Në një shkresë të adresuar drejtuesve të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, MKRS shpreh shqetësim se FFK ka caktuar Kuvendin Zgjedhor për 5 shkurt 2025, pa i adresuar më parë obligimet që rrjedhin nga licencimi i kushtëzuar i vitit 2023 dhe marrëveshjet e arritura me institucionet ndërkombëtare të futbollit.
Sipas MKRS-së, licencimi i FFK-së në vitin 2023 ishte dhënë me kusht që brenda gjashtë muajve të realizohej harmonizimi i Statutit me Ligjin për Sport, legjislacionin sekondar dhe standardet e UEFA-s dhe FIFA-s. Ministria thekson se këto obligime nuk janë përmbushur deri më sot, pavarësisht afatit të dakorduar.
Një nga çështjet kryesore të ngritura ka të bëjë me standardet demokratike të kandidimit për President të FFK-së. MKRS vë në pah se, megjithëse federata ka rreth 40 anëtarë, vetëm rreth 26 prej tyre janë të licencuar dhe me të drejtë vote, ndërsa Statuti vazhdon të kërkojë 15 nënshkrime mbështetëse për kandidim, çka sipas ministrisë, rezulton praktikisht në lejimin e vetëm një kandidature dhe eliminimin e konkurrencës.
MKRS rikujton se gjatë përgatitjes së Statutit të vitit 2023, kjo kërkesë ishte rekomanduar të hiqej nga grupet punuese të UEFA-s dhe FIFA-s, por megjithatë ka mbetur në versionin final të Statutit të FFK-së.
Ministria po ashtu ngre shqetësime për procesin e papërfunduar të licencimit të shoqatave rajonale, shoqatave profesionale dhe disa klubeve, duke theksuar se vetëm anëtarët e licencuar kanë të drejtë vote në kuvendet zgjedhore, sipas Ligjit për Sport dhe udhëzimeve administrative në fuqi.
Në këtë kontekst, MKRS ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA sqarim zyrtar nëse mekanizmat aktualë zgjedhorë të FFK-së janë në përputhje me parimet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfaqësimit gjithëpërfshirës dhe qeverisjes së mirë.
Ministria thekson se qëllimi i kësaj shkresë nuk është ndërhyrja në autonominë sportive, por garantimi i ligjshmërisë, integritetit institucional dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare. MKRS ka kërkuar që Kuvendi Zgjedhor të mbahet vetëm pasi të adresohen të gjitha çështjet statutore dhe të përfundojë procesi i licencimit, në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n. 
