Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme, kurse banorë nga Mitrovica nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë pas shpërthimit.
Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit të Zubin Potokut, njoftoi të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.
“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste… synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.
Të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan, tha Sveçla.
Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, tha Sveçla.
”Kjo dëshmon që Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalen derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen e të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme derisa u pyet se nëse ndonjë institucion duhet të jap përgjegjësi për dështimin e parandalimit të rastit, ka thënë se do të ketë hetime edhe për ata që kanë kryer këto akte por, edhe për formën se si ka ardhur deri këtu.