Çfarë pritet të ndodhë në samitin e “Ballkanit të Hapur”, në Ohër

Delegacionet nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – nismëtaret e “Ballkanit të Hapur” – do të takohen më tetë qershor në Ohër. Seanca e parë plenare ka të bëjë me turizmin e më pas do të vijohet me kulturën

Ilustrim

Të mërkurën e tetë qershorit nismëtarët e iniciativës “Ballkani i Hapur”, do të takohen në Ohër.

Mbajtja e samitit midis tre liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, është parashikuar të nisë në orën 10:00.

Delegacionet nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në seancën e parë do të diskutojnë për turzimin, e më pas edhe për kulturën.

Këto dy seanca do të përmbyllen në orën 12:15.

Ndërkohë, rreth 15 minuta më vonë do të zhvillohet takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ilustrim

Një orë më pas do të nënshkruhen edhe marrëveshjet në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Pas nënshkrimit, liderët do të dalin në një konferencë për media.

Po ashtu, ata do të zhvillojnë dhe një vizitë në manastirin e Shën Naumit, si dhe do të eksplorojnë burimet e liqenit të Ohrit me varkë.

Kush është pjesëmarrës, e kush mungon?

Ftesës së kryeministrit Kovaçevski, nuk i është përgjigjur pozitivisht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në Ohër, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Sipas njoftimit, Kurti i ka shkruar letër Kovaçevskit, ku ia ka shpjeguar edhe njëherë qëndrimin e Kosovës, dhe si e sheh ai bashkëpunimin rajonal.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë. Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën e Kurtit për kryeministrin maqedonas.

Përveç presidentit serb, kryeministrit maqedonas dhe atij shqiptar, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit.

Pjesëmarrës në këtë samit do të jetë dhe një zë lobues i “Open Balkan”, komisioneri evropian për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Marrëveshjet e “Ballkanit të Hapur”

Në kuadër të kësa ideje, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Të njëjtat marrëveshje përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërkaq, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.

Përfaqësuesit e tri vendeve pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të reja edhe gjatë mbajtjes së samitit në këtë të mërkure.

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika