Çfarë thotë Thaçi nga Haga për bashkëpunimin e PDK-së me VV-në?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se në Kosovë të gjitha subjektet politike duhet të vendosin interesin e qytetarëve mbi interesat partiake, duke folur për mundësinë e bashkëpunimeve politike në vend.

Në një intervistë të dhënë nga Haga për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Thaçi është pyetur nëse do ta këshillonte ish-partinë e tij, Partinë Demokratike të Kosovës, për ndonjë koalicion apo bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për tejkalimin e bllokadës aktuale politike në Kosovë.

Ai u përgjigj shkurt se prioriteti i tij mbetet procesi gjyqësor në të cilin është i përfshirë në Hagë, por theksoi rëndësinë e interesit shtetëror mbi atë partiak, njofton Dukagjini.

“Prioriteti im është procesi ligjor në të cilin jam i përfshirë aktualisht. Megjithatë, ajo që mund të them është se në Kosovë të gjithë duhet gjithmonë të vendosin interesin e qytetarëve të Kosovës mbi interesat partiake”, ka deklaruar Thaçi.

Në po të njëjtën intervistë, ai është pyetur edhe për mundësinë e rikthimit të tij në jetën politike pas përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë.

Thaçi tha se ndihet i përmbushur me karrierën e tij politike dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë gjatë dy dekadave të angazhimit të tij politik.

“Ju pyesni nëse jeta ime politike ka përfunduar. Unë e shoh garën politike pas meje, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës, në të ardhmen do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit. I përulem popullit të Kosovës që më ka treguar besim, respekt dhe mbështetje për vizionin tim politik për dy dekada. Gjithashtu shpreh mirënjohjen time të thellë për partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë punuar ngushtë me mua për të realizuar vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike”, tha Thaçi.

 

 

 

 

Të fundit nga rubrika