Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, i është drejtuar kryeministrit Kurti “Kryeministër, lëri foret, puno ndonjë gjë. Nëse nuk din pyet”, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të tij në mbledhjen e Qeverisë, i cili kishte thënë se e ka marrë malli për opozitën, pasi nuk është takuar me liderët dhe deputetët e partive opozitare që nga hera e fundit që janë parë në Kuvendin e Kosovës.
Çitaku përmes një postimi në Facebook, ka thënë “Mua për shembull më ka marrë malli të ketë investime kapitale në Kosovë. Kjo qeveri ka shpenzuar vetëm 9% të buxhetit”.
Ajo ka vijuar duke thënë se e ka marrë malli për të pasur rritje të rrogave për mësuesit, mjekët dhe policët.
Po ashtu, Çitakun e ka marrë malli të mos ketë shtrenjtim e ndalje të rrymës në pikë të verës.
“Më ka marrë malli të mos ketë inflacion marramendës në produkte bazike”, ka vazhduar ajo.
“Më ka marrë malli të koordinohem me aleatët tanë, e jo t’i thumboj në konferenca për shtyp”, ka përfunduar Çitaku postimin e saj.
Ndërkaq, të mërkurën e 24 gushtit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse nuk është takuar me liderët dhe deputetët e partive opozitare që nga hera e fundit që janë parë në kuvend, ka thumbuar duke thënë se e ka marrë malli për ta.
Kështu ka thënë ai gjatë konferencës për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, teksa komentoi takimin e opozitarëve me përfaqësuesin e Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Është e vërtetë që nuk e kam takuar opozitën prej se kuvendi ka shkuar në pushim veror dhe nuk besoj që duhet të kthehemi nga pushimet që të takohemi. E pashë dje që pos meje, edhe Gabriel Escobarin e kishte marrë malli për opozitën edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Escobarin do ta pyes sot sesi ka kaluar me opozitën dhe si e kemi opozitën”.
“Është mirë që edhe opozita e Kosovës t’i dëgjojë drejpërdrejt qëndrimet e ndërmjetësve ndërkombëtarë, atyre evropianë dhe amerikanë në lidhje me dialogun që po zhvillohet”, shtoi ai.