Çitaku – Kurtit: Sjellje fëmijërore dhe e papërgjegjshme, si mund të jetë më e rëndësishme vizita në Greqi se në Tiranë?

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po tregohet “idhnak” e i papërgjegjshëm karshi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama

Sjellje fëmijërore e të papërgjegjshme e ka cilësuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, vendimin e kryeministrit të Kosovës për të mos shkuar në drekën joformale të thirrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, ku do të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Çitaku shtroi pyetje retorike për Kurtin “Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?!”.

Kjo për shkak se kryeministri Kurti do të udhëtojë për në Kretë të Greqisë, në datën e njëjtë (sot) kur edhe do të mbahet dreka joformale e thirrur nga Rama.

Çitaku tha se Kurti nuk duhet të bëjë veprime personale ndaj Ramës.

“Kryeministër Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu”, tha ajo.

Sipas Çitakut, Kurti po tregon mosdurim dhe “qasje idhnake ndaj kryeministrit të Shqipërisë, e cila sipas saj “po e dëmton Kosovën”.

Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet këtë të hënë në Tiranë.

I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Ky takim do të shërbejë si përgatitje për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë më 16 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.

Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika