Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka propozuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës një draft-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës.
Ajo tha se Kosova po përballet me përpjekje për shtrembërimin e historisë, duke theksuar se kujtesa është thelbësore për identitetin e shoqërisë.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së kemi përgatitur dhe proceduar një draft-rezolutë në mbrojtje të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave të luftës. Sot përballë nesh nuk kemi vetëm sfida politike apo institucionale, kemi një sfidë edhe më të thellë dhe më të rrezikshme: përpjekjen për ta shtrembëruar historinë tonë. Kujtesa nuk është vetëm e kaluara, kujtesa është identitet, është themeli mbi të cilin qëndrojmë ne si shoqëri”, deklaroi Çitaku.
Ajo kërkoi që kjo rezolutë të futet në rendin e ditës si pikë e parë, menjëherë pas pyetjeve parlamentare, duke shtuar se Kuvendi nuk duhet ta injorojë një çështje të tillë.
“Nuk ka kuptim që Kuvendi sot të sillet normalisht dhe të mos e miratojë këtë rezolutë si hap i parë. Jemi të hapur për diskutim, për plotësime, mirëpo për PDK-në është e domosdoshme që kjo rezolutë të hyjë në rend të ditës dhe të jetë pika e parë që trajtohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.
Propozimi i saj gjeti mbështetje nga grupet parlamentare. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosje u propozua që kjo çështje të zhvendoset si pikë e fundit e rendit të ditës, ndërsa LDK u shpreh e hapur për diskutim.
Pas një ore vonesë, seanca plenare nis me kujtimin e demonstratave të pranverës së vitit 1981