Përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, shteti duket se do të vazhdojë të mbetet vetëm monitorues.
Përkundër kërkesave, ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në deklarimin fundit tha që nuk kanë gjë në dorë eliminoi si mundësi edhe uljen apo heqjen e TVSH-së ose edhe akcizës.
“TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë opsion për shkak se është shumë problem të përcillet TVSH-ja, pasi që është tatimi i vlerës së shtuar, është ajo çfarë paguhet nga qytetarët, do të thotë nga secili konsumator fundor. Sepse mund të përfundojmë në situatë ku TVSH-hiqet, por operatorët nuk e ulin çmimin…”, ka thënë Kusari-Lila.
Por, nga opozita, vlerësojnë që zgjidhja e përkohshme është pikërisht tek këto dy veprime.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, i cili deri vonë ishte kryetar i Odës Ekonomike, e shpjegoi në përqindje ndikimin direkt të një vendimi eventual.
“Nëse TVSH ulet nga 18% → 8% dhe Akciza përgjysmohet Çfarë fiton qytetari?
Nga TVSH → kursen 17 cent/litër Nga akciza → kursen 17.5 cent/litër Totali: 35 cent më lirë për çdo litër!”
Me gjithë vështirësitë ligjore, kështu mendon edhe ish-drejtori i autoritetit të konkurrencës.
“Nëse këto dy norma ulen në një shkallë të caktuar, atëherë qytetari mund të ketë çmim më të përballueshëm”, ka thënë Valon Prestreshi.
Kjo formë e menaxhimit të krizës, gjen zbatim edhe në shtete të tjera, sipas një profesori të ekonomisë Fidan Qerimi.
“Pasi të kalon kjo krizë, të kthehemi prapë në gjendjeje e mëparshme, sepse planifikimet buxhetore janë, duke pas parasysh këto të hyrat”, ka thënë Qerimi.
Së fundmi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e uli TVSH-në për derivate nga 18 në 10 për qind. Ndërsa Shqipëria, siç bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë fundjavës, mori një sërë vendimesh, përfshirë edhe uljen e akcizës për 20%.