Çmimi i naftës është rritur ndjeshëm në tregjet aziatike, duke kaluar mbi 115 dollarë për fuçi në hapjen e tregjeve të hënën, rreth një muaj pas nisjes së luftës.
Nafta Brent u rrit në 115.84 dollarë për fuçi, një rritje prej 2.9%. Para 28 shkurtit, çmimi i saj ishte rreth 72 dollarë për fuçi, para fillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Javën e kaluar, çmimi kishte arritur deri në 118 dollarë më 19 mars, ndërsa të premten qëndronte pak nën 112 dollarë, raporton BBC.
Ndërkohë, zhvillimet në rajon vijojnë të përshkallëzohen.
Zëdhënësi i Shtabit Qendror “Khatam al-Anbiya” në Iran ka kërcënuar se forcat e armatosura do të shënjestrojnë shtëpitë e komandantëve dhe zyrtarëve politikë amerikanë dhe izraelitë në rajon.
Ushtria izraelite thotë se po vazhdon sulmet në Teheran, pas shpërthimeve të fuqishme të raportuara në kryeqytetin iranian.
Ministria e Energjisë në Iran njofton se sulmet ndaj infrastrukturës elektrike kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa zona të Teheranit dhe provincës Alborz, por furnizimi është rikthyer në shumicën e tyre.
Në jug të Izraelit është vënë nën kontroll një zjarr i madh në zonën industriale Neot Hovav, që dyshohet se është shkaktuar nga copëza raketash.
Pavarësisht përshkallëzimeve, Irani dhe SHBA-ja kanë shprehur “besim” në bisedimet e paqes, sipas ministrit të jashtëm të Pakistanit.
Në Liban, një universitet amerikan në Bejrut po zhvillon mësim online pas kërcënimeve nga Garda Revolucionare e Iranit, ndërsa dy universitete iraniane janë goditur nga sulmet amerikano-izraelite.
Në Liban janë mbajtur edhe ceremonitë mortore për tre gazetarë të vrarë në një sulm ajror izraelit.
Sulme dhe incidente janë raportuar edhe në disa vende të Gjirit, përfshirë Kuvajtin, ku janë plagosur 10 ushtarë, ndërsa në Arabinë Saudite janë publikuar pamje të një avioni ushtarak amerikan të dëmtuar në një bazë ajrore.