Çmimet e produkteve bazike në Kosovë po rriten dita e ditës.
Së fundi çmimi i një pakoje me 30 copa vezë ka shkuar në mbi 6 euro. Çmimi 5 euro e 45 centë tashmë është bërë standard në shumë markete.
Kultivuesit e mëdhenj të pulave dhe shitjes së vezëve në Kosovë, në këto 10 ditët e fundit e kanë shtrenjtuar për 50 cent pakon e vezëve.
Diku 4.70 centë e diku 5 euro po kushtojnë 30 copa vezë.
Në bisedën telefonike që e zhvilluam me njërin prej kultivuesve më të mëdhenj të pulave dhe vezëve në Kosovë, e i cili nuk pranoi të identifikohet tha se shtrenjtimi i vezëve po ndodh për disa arsye: trefishimi i çmimit të rrymës, shtrenjtimi i fuqisë punëtore, dhe e fundit shtrenjtimi i produkteve me të cilat i ushqejnë shpezët.
Sa i përket produkteve me të cilat ushqehen shpezët, vizitat në terren bien në kundërshtim me pretendimet e këtij biznesi.
Në një depo bujqësore në rrethinën e Prishtinës na treguan se produktet të cilat përdoren për pula nuk është se janë shtrenjtua kohëve të fundit. Ky është koncentrati për ve 10 kg dhe çmimi i tij është aktualisht 5 euro dhe të paktën në tre muaj e fundit nuk ka ndryshuar. Gruri 50 kg çmimi është 15 euro edhe çmimi i tij nuk ka ndryshuar kohëve të fundit. Vitamina për ve, kushton 2.5 euro dhe çmimi i saj nuk ka ndryshuar kohëve të fundit. Ndërkaq misri ose kollomoqi 50 kg çmimi është 18 euro dhe madje çmimi ka rënë nga 18 euro e 50 që ka qenë para disa muajsh, çmimi është 18 euro.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, institucioni që e ka fuqinë ta kontrollojë dhe ndalojë keqpërdorimin e çmimeve, në një përgjigje për TV Dukagjini kanë konfirmuar se po hetojnë këto raste dhe nëse ka ndonjë marrëveshje të ndaluar mes operatorëve për ngritje artificiale të çmimeve.
“…Inspektimet dhe aktivitetet mbikëqyrëse tashmë janë duke u zhvilluar. Nëse gjatë këtij procesi dalin të dhëna që sugjerojnë sjellje të mundshme antikonkurruese, AKRK do të ndërmarrë masa të tjera sipas mandatit të saj ligjor, përfshirë hapjen e hetimeve të thelluara…”, kanë thënë nga Autoritet i Konkurrencës.
Çmimi i vezëve nuk ndikohet nga importi sepse sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhuesit vendor mbulojnë 99% të kërkesës vendor për konsum të vezës.
Në krahasim me vitin 2018, çmimi i vezëve është dyfishuar. Sipas të dhënave në Ministrinë e Bujqësisë në raportin “Bujqësia e Kosovës në Numra 2023”, çmimi mesatar i konsumit, për 30 vezë në vitin 2018 ka qenë 2 euro e 45 centë. Ngritja më e madhe e çmimit të vezëve ka ndodhur ndërmjet vitit 2021 dhe 2023, ku çmimi iu afrua 3 euroshit për të mbërritur në 6 euro e më lartë, ditëve të fundit.
