“Në 5 vjet kemi çmontuar mbi 900 banda kriminale. Kemi këputur zinxhirin që quhej ‘mafia e Ballkanit’. Nuk ka banda kriminale në vendin tonë më”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u bë pishman për këtë deklaratë që dha ditë më parë për magazinën në POLITICO, sa qëndroi në Berlin.
Menjëherë pas reagimeve që erdhën nga ky deklarim i Osmanit, video ku flitet për pjesën e bandave kriminale u fshi nga intervista 24 minutëshe.
E vetë presidentja e quajti si të paqëllimshme dhe tha se e ka pasur fjalën për raste.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.
Deklarimi i presidentes Osmani u kritikua në publik, duke u cilësuar si i pamatur dhe duke e portretizuar Kosovën si vend të krimit.
E pavarësisht se ajo pjesë është fshirë, sipas kolonelit në pension të Policisë së Kosovës, deklarata ka pasoja.
“Ajo ndikon pak edhe në psikologjinë e njerëzve e të qytetarëve prandaj duhet me pas kujdes sidomos personat publik kur deklarohen në lidhje me rastet e ndishme sidomos të sigurisë duhet të kenë kujdes edhe të jenë të sigurt lidhur me këtë..”, ka thënë Rufki Morina – Kolonel në pension i PK-së.
Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, duke kërkuar të dhëna se sa raste që lidhen me krimin e organizuar janë hetuar e identifikuar në pesë vitet e fundit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.