Daka: Edhe për të shkuar në zgjedhje, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka deklaruar se pret që Kuvendi i Kosovës të konstituohet në vazhdimin e seancës konstituive që mbahet nesër, ndonëse, sipas saj, kjo do të ndodhë pas tejkalimit të afateve dhe shkeljeve kushtetuese që i kanë paraprirë procesit,

Daka, e ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se duke e pasur parasysh historinë e procesit të konstituimit të institucioneve, nuk do të befasohej nëse nesër do të ndodhte ndonjë zhvillim i papritur.

Ajo theksoi se, pavarësisht zhvillimeve, për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi.

“Duket ditur historinë e gjithë kësaj odiseja-de të konstituimit të institucioneve nuk do isha çuditur të ndodhë diçka nesër por gjithsesi pres që më të fund të konstituohen këto institucione edhe pse kundër të gjitha afateve dhe shkeljeve kushtetuese që u kanë parapri atyre. Gjithsesi, edhe për të shku në zgjedhje fillimisht ne nevojitet konstituimi i këtyre institucioneve”, u shpreh Daka.

Daka tha se beson se fillimisht do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që të votohet edhe Qeveria, duke pasur parasysh numrat që, sipas saj, i ka Lëvizja Vetëvendosje.

Daka foli edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke vlerësuar se pas konstituimit të Kuvendit do të nisë afati 60-ditor i përcaktuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne gjithsesi se do të arrijmë tek zgjedhjet, por para asaj do të bëhet konstituimi i Kuvendit sepse edhe për me shku në zgjedhje duhet të kemi një Kuvend që do ta shpërbëjë vetëvetën, por nevojitet edhe Qeveria edhe pse kemi një qeveri në detyrë por nevojitet një qeveri e re që pastaj do të jetë në detyrë – besoj se do të konstituohet Kuvendit dhe do të zgjidhet kryetari e nënkryetarët por më tutje nuk dihet. Mbase do të bëhet edhe votimi i Qeverisë meqë i kanë numrat por pastaj për Presidentin i kemi pastaj 60 ditë që i ka paraparë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushteteuse që nga konstituimi i Kuvendit dhe Lëvizja Vetëvendosje padyshim se do ta shfrytëzojë këtë periudhë deri në ditën e fundit edhe pse e dinë që nuk i ka votat për zgjedhjen e Presidentit. Votat e të gjithëve të LDK-së tashmë nuk janë në dispozicion”, u shpreh Daka.

Të fundit nga rubrika