Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim dhe manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Lajmi është konfirmuar për Dukagjinin nga Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se operacioni është në zhvillim dhe se për momentin nuk mund të ndahen detaje shtesë.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave. Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”.
Komuna e Prizrenit ka qenë një nga komunat ku janë shfaqur më së shumti dallimet tek votat e kandidatëve për deputetë, pas rinumërimit të votave.
Si pasojë e dyshimeve për manipulim të votave, KQZ mori vendim që të gjitha votat e kandidatëve për deputetë në tërë Kosovën të rinumërohen edhe njëherë, në total 2 mijë e 557 vendvotime.
