Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka folur për situatën rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se seanca e radhës do të thirret vetëm pasi partitë politike të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës.
I pyetur nëse moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh të përcaktuar me Kushtetutë përbën shkelje, Dehari ka thënë se kjo nuk mund të konsiderohet e tillë përderisa nuk ka sanksione të përcaktuara.
“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet. Nuk ka sanksione dhe derisa nuk ka sanksione, nuk mund të thuhet se ka shkelje”, ka deklaruar Dehari.
Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar të premten. Ndërkohë, vazhdimi i seancës konstituive, e nisur të enjten, u mbajt të shtunën, por as kjo seancë nuk solli një zgjidhje.
Në këtë seancë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për të negociuar me partitë e tjera politike lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Pas deklaratës së Kurtit, ai u bë cak i hedhjes së vezëve nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.
Deri më tani, nuk është ftuar seancë tjetër për vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.