Të gjitha partitë pajtohen se pa u votuar Qeveria asnjëherë nuk është mbajtur Mbledhja e Kryesisë dhe nuk ka pasur plane për formim të komisioneve parlamentare e pastaj votim të buxhetit të shtetit, por kur erdhi puna për ta bërë këtë përjashtim për herë të parë, nuk u pajtuan të gjithë.
Përpos miratimit të disa pikave formale, anëtarësia e kryesisë nuk gjeti gjuhë të përbashkët për funksionalizimin e komisioneve parlamentare, për buxhetin për tri komuna e atë për RTK-në, e as për pikën më të rëndësishme – buxhetin e shtetit për vitin 2026.
“Në emër të PDK qartësova që pika e vetme që mund të trajtohej ishte thirrja e seancës së re për të votuar ose mos votuar Qeverinë e re, çdo gjë tjetër është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës…”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Çitaku tha se po iu kërkohet që të simulojnë demokracinë duke e shkelur Kushtetutën, ndërsa kur u pyet se a janë për Qeveri teknike tha se kjo çështje beson se do të diskutohet në takim me Presidenten.
Për dallim me të, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte e prerë në përgjigjen Jo, duke e refuzuar çfarëdo plani për Qeveri teknike.
Duke e akuzuar ish-bllokun opozitar për qasje destruktive, Haxhiu një pjesë të mirë të fjalimit ia kushtoi pasojave që sipas saj sjellë mospajtimi me ta.
“Buxheti mund të shfrytëzohet deri në shkurt, dhe nëse nuk ka të miratuar buxhet nuk mund të shfrytëzohet më pas…”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
I fundit që doli në konferencë ishte kryeparlamentari Dimal Basha, i cili e konfirmoi se kishte paraparë që të premten, më 31 tetor, të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, por që nuk gjeti përkrahje.
“Është e vërtetë që në historinë e Republikës nuk ka ndodhur mbledhjet e Kryesisë pa votimin e qeverisë po meqë nuk u votua qeveria, marrë parasysh disa gjëra urgjente kam dashur t’i thërras për t’i diskutuar, ka thënë Basha.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës askush nuk u deklarua për media, përkundër se përfaqësuesit e saj ishin të pranishëm në takim.