Dhjetëra persona rezultojnë të zhdukur pasi një anije që transportonte mbi 200 migrantë, të nisur drejt Evropës, u përmbys pranë brigjeve të Gambisë, deklaroi të premten në mbrëmje presidenti i këtij vendi të Afrikës Perëndimore, duke njoftuar nisjen e një operacioni të gjerë kërkim-shpëtimi.
Sipas presidentit gambian Adama Barrow, të paktën 102 persona janë shpëtuar, ndërsa janë gjetur shtatë trupa pa jetë nga anija që u përmbys në natën e Vitit të Ri, në rajonin North Bank, në veriperëndim të Gambisë, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Shërbimet emergjente, të ndihmuara nga peshkatarë lokalë dhe vullnetarë të tjerë, po vazhdojnë kërkimet për viktimat, disa ditë pas incidentit të ndodhur pranë fshatit Jinack.
Mijëra afrikanë, të dëshpëruar për mundësi më të mira jetese në Evropë, rrezikojnë jetën duke udhëtuar me anije përgjatë bregut Atlantik — një nga rrugët më vdekjeprurëse të migrimit në botë, që lidh brigjet e Afrikës Perëndimore përmes Gambisë, Senegalit dhe Mauritanisë.
Shumë migrantë që përpiqen të arrijnë Spanjën përmes Ishujve Kanarie nuk ia dalin kurrë, për shkak të rrezikut të lartë të përmbysjes së anijeve. Në gusht të vitit 2025, rreth 150 persona u raportuan të vdekur ose të zhdukur pasi një anije e nisur nga Gambia u përmbys pranë brigjeve të Mauritanisë. Një incident i ngjashëm në korrik 2024 shkaktoi vdekjen e më shumë se një duzine migrantësh, ndërsa 150 të tjerë u shpallën të zhdukur.
Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi tragjedinë e fundit. Ministria e Mbrojtjes e Gambisë njoftoi se anija ishte gjetur “e bllokuar në një bankë rëre”.
“Plani kombëtar i reagimit emergjent është aktivizuar dhe qeveria ka angazhuar burime të mjaftueshme për të intensifikuar përpjekjet dhe për të ofruar ndihmë për të mbijetuarit,” tha Barrow.
Sipas tij, disa nga 102 të shpëtuarit po marrin trajtim urgjent mjekësor.
Teksa shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, presidenti gambian premtoi një hetim të plotë dhe e cilësoi aksidentin si një “kujtesë të dhimbshme për natyrën e rrezikshme dhe kërcënuese për jetën të migrimit të parregullt”.
“Qeveria do të forcojë përpjekjet për të parandaluar migrimin e parregullt dhe mbetet e vendosur të krijojë mundësi më të sigurta dhe më dinjitoze për të rinjtë, që ata të realizojnë ëndrrat e tyre,” shtoi ai.