Dirk Schuebel nis mandatin si ambasador i BE-së në Kosovë

Dirk Schuebel ka nisur mandatin e tij si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke marrë detyrën si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian.

Schuebel është diplomat gjerman me përvojë të gjatë në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ai ka shërbyer më parë si Ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi, nga viti 2019 deri më 2022, ndërsa më herët ka qenë Ambasador i BE-së në Moldavi, nga viti 2009 deri më 2013.

Para emërimit në Kosovë, Schuebel ka shërbyer si Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Me marrjen e detyrës së re, Schuebel ka thënë se synon të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, akterët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetet, me qëllim të avancimit të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Pres me padurim të punoj me institucionet e Kosovës, akterët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet për ta ndihmuar Kosovën shumetnike të avancojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar se do ta mbështesë të ardhmen evropiane të Kosovës, duke kërkuar që integrimi në BE të jetë prioritet përtej ndarjeve politike.

Schuebel ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke thënë se do ta mbështesë angazhimin konstruktiv të Kosovës dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në këtë drejtim, ai pritet të bashkëpunojë ngushtë me përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.

Ambasadori i ri i BE-së ka vlerësuar gjithashtu përafrimin vullnetar të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Sipas tij, Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, duke u bazuar në më shumë se 25 vjet përkrahje që nga viti 1999.

BE-ja, sipas të dhënave të publikuara, i ka ofruar Kosovës më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë, përfshirë mbështetjen për rindërtimin, ndërtimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.

Schuebel ka bërë thirrje edhe për formimin e shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke e lidhur funksionalizimin e tyre me mundësinë që vendi të përfitojë plotësisht nga mbështetja evropiane.

“Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaft të konsiderueshëm të IPA”, ka thënë ai.

Sipas Schuebel, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian.

Në pozitën e Ambasadorit të BE-së, Schuebel do të ofrojë këshilla dhe mbështetje për proceset politike në Kosovë dhe do të promovojë koordinimin e përgjithshëm të politikave të BE-së në vend.

Ai do të mbikëqyrë gjithashtu angazhimin dhe bashkëpunimin e Bashkimit Evropian me Kosovën, përfshirë reformat që lidhen me rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Në ushtrimin e detyrës, Schuebel do të mbështetet nga zëvendës-shefi i sapoemëruar i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, dhe ekipi i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shija e redaktorit

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Të fundit nga rubrika