“Dita e Çlirimit”- Krerët e shtetit vlerësojnë sakrificën e dëshmorëve, i nderojnë edhe ushtarët e rënë të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe përkujtimore në nderim të ushtarëve të rënë të NATO-s.

Pikërisht sot është edhe përvjetori i 24-të i çlirimit të Kosovës, datë e cila shënon edhe ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se sakrifica e dëshmorëve dhe ndërhyrja e NATO-s e ndalën gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës.

Ai e përmendi sakrificën e familjes Jashari, veprimtarinë e Adem Demaqit dhe të të gjithë atyre që kanë kontribuuar për lirinë e vendit.

“Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskta dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaqit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarëve të NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha ai.

Sipas presidentes, ushtarët e NATO-s ia kanë dhënë vulën çlirimit të Kosovës. Ajo përmendi edhe ish-presidentin Rugova, si dhe familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit.

“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shtetin ynë u çlirua pas një lufte, e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm të Republikës së Kosovës. Tani po nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hyn në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën çlirimit të vendit tonë. Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosin këto themele, për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, por edhe mirënjohje përjetshme për gjithë miqtë tanë, të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet, të cilin sot e gëzojnë gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Çlirimi i Kosovës, sipas Konjufcës, erdhi me shumë sakrifica dhe me një kauzë të drejtë, siç është ajo e lirisë.

Ai tha se 12 qershori është njëra nga ditët më të çmueshme e të rëndësishme të popullit të Kosovës.

“Sot, pra është 24-vjetori i çlirimit të Kosovës nga Serbia, çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare. Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë një datë shumë e çmuar për popullin e Kosovës, por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar. Sepse dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtete, të cilat e ndihmuan çlirim e Kosovës. Por, kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejt”.

“Në krejt cka po kërkonim si popull dhe qytetarë ishte që ta hiqnim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë. Për këtë ditë dhamë edhe shumë, dhamë dëshmorët tanë, i dhamë martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë sepse janë në themelin e lirisë së shtetit tonë. Prandaj, unë e shfrytëzoj rastin që të uroj edhe një herë ditën të gjithë qytetarëve të Kosovës 12 qershorin, ditën e çlirimit, sepse është njëra nga ditët më të çmueshme, më të rëndësishme të popullit tonë”, tha ai.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika