Dodik thotë se nuk do t’i pranojë vendimet e Schmidt

Presidenti i entitetit Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ka thënë se Asambleja Kombëtare e entitetit që ai kryeson nuk do t’i pranojë vendimet e marra nga Christian Schmidt

Lider i Republikës Sërpska, Milorad Dodik

Presidenti i entitetit Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ka thënë se Asambleja Kombëtare e entitetit që ai kryeson nuk do t’i pranojë vendimet e marra nga, siç thotë Dodik, “përfaqësuesi i lartë i rremë” Christian Schmidt.

Kjo deklaratë e Dodikut vjen një ditë pasi përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Schmidt, anuloi dy vendime anti-Dejton të asamblesë së entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë vendim që ai [Schmidt] ka marrë. Nëse Zyra e Prokurorit dhe Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës veprojnë sipas vendimeve të tij, ne do ta miratojmë një ligj në Republikën Sërpska që refuzon atë Zyrë Prokurorie dhe Gjykatë”, tha Dodik, udhëheqësi pro-rus i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe presidenti i Aleancës qeverisëse të Social Demokratëve të Pavarur në Republikën Sërpska (SNSD).

Në fjalimin e tij për mediat, Dodik tha gjithashtu se është e mundur që “Republika Sërpska të thërrasë një referendum për çështje të rëndësishme” deri në fund të vitit.

Në ushtrimin e tij të fundit të kompetencave të Bonit, Schmidt ndryshoi edhe dispozitat e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës, duke e zgjeruar atë në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale, njëjtë si mosbindja ndaj vendimeve të Përfaqësueses së Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Zyrtarët e Republikës Sërpska të udhëhequr nga Dodiku kundërshtojnë legjitimitetin e përfaqësuesit të Lartë sepse emërimi i tij zyrtar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kundërshtua nga Kina dhe Rusia.

Dodik tha se ishte një “sulm i sinkronizuar, i poshtër, i projektuar ndaj Republikës Sërpska dhe Serbisë me qëllim të përmbysjes së autoriteteve në Republikën Sërpska dhe Serbi”.

“Në këtë moment ka një sulm të sinkronizuar ndaj meje si president i Republikës Sërpska dhe Vuçiqit si president i Serbisë”, tha Dodik, pa shpjeguar pse vendimet e përfaqësuesit të Lartë janë “goditje për Serbinë dhe Vuçiqin”, pasi që ato janë të vlefshme dhe të zbatueshme ekskluzivisht në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës.

Dodik tha gjithashtu se ai beson në “unitetin e Republikës Sërpska dhe Serbisë” dhe theksoi se ka ardhur koha që Serbia dhe Republika Sërpska ta kenë një politikë të unifikuar për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore serbe.

Ai deklaroi se do t’i shpallë të vlefshme ligjet që ka anuluar Schmidt dhe do ta fillojë procedurën e mospranimit të juridiksionit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje në territorin e entitetit të Republikës Sërpska.

Ai theksoi edhe një herë besimin anti-Dejton se Republika Sërpska do të jetë e pavarur një ditë./REL

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika