Drejtori i AUV-it: Sfidë kryesore është numri i vogël prej 83 inspektorëve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bashkë me Ministrinë e Bujqësisë dhe EFSA-në kanë organizuar një konferencë për sigurinë ushqimore në vend.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Ministri i Bujqësisë Armend Muja i cili theksoi se bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë dhe si burim i të ardhurave për shumë fermerë në vend.

“Siguria ushqimore nuk është vetëm çështje teknike ajo është kontratë mes shtetit dhe qytetarit. Është një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë dhe është një investim që duhet ruajtur përjetësisht. Sepse pa siguri ushqimore nuk ka shëndet, pa shëndet publik nuk ka ekonomi të qëndrueshme, dhe pa ekonomi të qëndrueshme e pa standarde nuk do të ketë integrim në Bashkimin Evropian. Bujqësia mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Është burim i të ardhurave për shumë fermerë në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit, vlera e shtuar bruto e sektorit të bujqësisë në vitin 2025 ka arritur mbi 810 milionë euro. Kjo sipas meje tregon një zhvillim të rëndësishëm në Kosovë, një mundësi për fermerët, por mbi të gjitha edhe nevojën që të sigurohen standarde më të larta të sigurisë ushqimore. Kjo mundëson hapjen e shtigjeve të reja të eksportit për kompanitë tona. Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit për sistemin e sigurisë ushqimore. Kemi siguruar financim të fushatave vaksinuese dhe kemi avancuar dukshëm në sistemin e gjurmueshmërisë. Megjithatë, duhet të jemi koshientë se ende jemi në një fazë të ndërmjetme të progresit sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore”, tha Muja.

Gjithashtu ministri tha se do të draftohet dhe publikohet një udhëzim i ri që përafrohet me standardet evropiane.

Po ashtu Muja theksoi se do të ketë reforma në sistemin e inspektimit, nga inspektimi formal do të kalohet në inspektim që bazohet në rrezik.

“Si Ministër i Bujqësisë, sot para jush dëshiroj të lajmëroj një vizion të ri, të qartë dhe ambicioz për këtë sektor. Brenda vitit, bashkë me agjencitë dhe stafin e Ministrisë, do të publikojmë dhe do të draftojmë një udhëzim të ri, i cili përafron në terma të qartë dhe me përgjegjësi totale çdo standard të mundshëm në këtë sektor; çdo standard të Bashkimit Evropian. Ne duhet të jemi konkurrues duke zbatuar standardet më të larta.

Brenda 12 muajve po ashtu do të reformojmë sistemin e inspektimit. Nga një inspektim formal, po kalojmë në një inspektim i cili bazohet në rrezik. Nuk ka nevojë që bizneset tona të ngarkohen me kontrolle të panevojshme. Ato do të bazohen vetëm në rrezik.

Në fund, më lejoni të potencoj që deri në vitin 2027, sistemi digjital i plotë i gjurmueshmërisë do të jetë një nga prioritetet tona esenciale në këtë sektor.

Duhet të përmend edhe diçka tjetër: siguria ushqimore moderne kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, në kuadër të këtij vizioni të ri, do të fuqizojmë qasjen ‘One Health’ . Do të ndërtojmë mekanizma të koordinuar për të adresuar të gjitha rreziqet që i kanosen të gjitha qenieve dhe shëndetit në tërësi”deklaroi ministri Muja.

Drejtori i AUV, Bekim Hoxha tha se sfidë kryesore është numri i vogël i inspektorëve, i cili është 83 inspektorë.

“Numri i vogël i inspektorëve, 83 është shumë i vogël, Në raport me vendet e tjera të rajonit, po e marr Malin e Zi, i cili është tre herë më i vogël, i ka mbi 150 [inspektorë]. Maqedonia i ka 350. Bosnja dhe Hercegovina i ka 550, e shumë vende të tjera. Unë e di që ne po ashtu i zëvendësojmë edhe me inteligjencën artificiale, por kishte me qenë  e pamundur.Inspektori duhet me dalë në terren, duhet me pa, duhet me bë procesverbalin edhe duhet me konstatuar dhe me verifikuar gjendjen. Është e pamundur, po them jemi të gatshëm për me bë të pamundurën edhe numri i inspektorëve që e bëjnë punën, është një numër i madh i inspektimeve që bëhet brenda muajit. Madje shumica e tyre punojnë të shtunën, të dielën, vijnë edhe jashtë orarit”, tha Hoxha.

Patrick Mcmullan, përfaqësues i Autoritetit Evropian për Siguri Ushqimore tha se Kosova ka treguar përkushtim të madh në përafrimin e standardeve të saj me ato të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore.

“Unë vij nga Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore, EFSA. Ne jemi agjencia e Bashkimit Evropian që ofron këshilla shkencore të pavarura për rreziqet që lidhen me ushqimin.

Mesazhi im sot është i thjeshtë: bashkëpunimi është çelësi. Siguria ushqimore nuk njeh kufij. Një rrezik në një vend mund të bëhet shpejt problem për të gjithë ne. Prandaj, ne punojmë ngushtë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të ndërtuar kapacitete dhe për të shkëmbyer njohuri. Kosova ka treguar përkushtim të madh në përafrimin e standardeve të saj me ato të Bashkimit Evropian. Ky nuk është vetëm një proces teknik, por një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve tuaj dhe hapjes së tregjeve të reja. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë rrugëtim. Sistemi ‘One Health’ që u përmend më herët është jetik. Ne duhet të kuptojmë se shëndeti i njerëzve është i lidhur pazgjidhshmërisht me shëndetin e kafshëve dhe mjedisin. Vetëm duke punuar së bashku në të gjithë këta sektorë mund të sigurojmë një sistem ushqimor të qëndrueshëm dhe të sigurt për të ardhmen” tha Mcmullan./EO

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika