Dy vajza binjake njëvjeçare rezultojnë të zhdukura në det pasi një anije që transportonte dhjetëra migrantë dhe refugjatë mbërriti këtë javë në ishullin italian Lampedusa, ka njoftuar organizata jofitimprurëse Save the Children.
Organizata bëri të ditur të premten se 61 persona, përfshirë nënën e binjakeve të zhdukura dhe 22 të mitur të pashoqëruar, u shpëtuan një ditë më herët nga anija, pasi kishin kaluar drejt Lampedusës në “kushte jashtëzakonisht të vështira”, të përkeqësuara nga cikloni Harry, shkruan Aljazeera, transmeton Dukagjini.
“Ata treguan se ishin nisur nga Tunizia, duke u përballur me dete të stuhishme për të paktën tre ditë, dhe se mbërritën në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike,” thuhet në deklaratën e Save the Children.
Organizata shtoi se një burrë humbi jetën pasi zbriti nga anija.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Mesdheu Qendror është rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë.
Në tetor të vitit të kaluar, 49 persona – përfshirë 12 fëmijë nën moshën pesë vjeç – humbën jetën kur anija e tyre u përmbys pasi ishte nisur nga fshati bregdetar tunizian Salakta.
“Gati 1,000 vdekje dhe zhdukje janë regjistruar në Mesdheun Qendror vetëm këtë vit [2025], ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave që nga viti 2014 ka kaluar 25,000,” deklaroi IOM në atë kohë.
“Të paktën 30 fëmijë kanë humbur jetën pranë brigjeve të Tunizisë vetëm këtë vit [2025], krahasuar me 22 në të gjithë vitin 2024.”
Sipas Projektit të IOM-it për Migrantët e Zhdukur, Tunizia ka shënuar rritje të ndjeshme të nisjeve vitet e fundit.
Në vitin 2020, shtetasit tunizianë përbënin mbi 60 për qind të kalimeve në Mesdheun Qendror, teksa vendi po përballej me papunësi të lartë dhe përkeqësim të kushteve socioekonomike dhe politike.
Të premten, Save the Children theksoi se njerëzit vazhdojnë të rrezikojnë jetën “në udhëtime të rrezikshme dhe shpesh vdekjeprurëse”, për shkak të mungesës së rrugëve të sigurta të migrimit.