Dyshime për manipulim të votave: Prokuroria dhe Policia me konferencë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot,një konferencë për media lidhur me aksionin e zhvilluar në rajonin e Prizrenit mbi dyshimet për falsifikim dhe manipulim të rezultateve zgjedhore gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit.

Sipas njoftimit zyrtar, në konferencë do të marrë pjesë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, së bashku me përfaqësues të Policisë e Kosovës.

Konferenca do të mbahet në orën 15:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, në katin e tretë, në Sallën e Takimeve.

Aksioni, i cili është konfirmuar për televizionin Dukagjini nga Policia e Kosovës, lidhet me dyshimet për keqpërdorim dhe manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Policia ka bërë të ditur se operacioni është ende në zhvillim dhe se për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave. Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”.

Komuna e Prizrenit është përmendur si një nga komunat ku janë evidentuar dallimet më të mëdha në votat e kandidatëve për deputetë pas procesit të rinumërimit.

Si pasojë e këtyre dyshimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të gjitha votat e kandidatëve për deputetë në të gjithë Kosovën të rinumërohen edhe një herë, gjithsej në 2 mijë e 557 vendvotime. Autoritetet pritet të japin më shumë sqarime lidhur me këtë rast gjatë konferencës së paralajmëruar për media.

Të fundit nga rubrika