E djathta ekstreme përparon në zgjedhjet për Parlamentin Evropian

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian konfirmuan shumicën e qendrës liberale dhe socialiste, por përparimi i së djathtës ekstreme tronditi udhëheqësit në disa vende kryesore të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë

Mbështetësit e partisë franceze të ekstremit të djathtë Rally National në Paris pas mbylljes së qendrave të votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian më 9 qershor, Reuters.

Rezultatet preliminare tregojnë se partitë e qendrës, liberale dhe socialiste do të ruajnë shumicën në Parlamentin Evropian, por fitorja e së djathtës ekstreme u dha goditje të brendshme udhëheqësve të disa vendeve, përfshirë Francën dhe Gjermaninë.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shpalli zgjedhjet e parakohshme kombëtare, pasi partia e tij u mposht bindshëm nga rivalja e ekstremit të djathtë.

Macron shpërndau Parlamentin dhe shpalli datën e votimeve më 30 qershor.

“Kam vendosur t’ju mundësoj me votë zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare”, tha ai.

Partia Fronti Kombëtar – e udhëhequr nga rivalët e Macronit, Marine Le Pen dhe Jordan Bardella – shënoi një nga sukseset më të mëdha në mesin e partive të ekstremit të djathtë në Evropë.

Rezultatet preliminare treguan se ajo siguroi mbi 30 për qind vota më shumë se Rilindja e qendrës e Macronit.

Goditje të ngjashme sikurse Macron përjetoi edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Socialdemokratët e tij shënuan rezultatin më të keq ndonjëherë, duke dalë të tretët pas Demokristianëve opozitarë dhe pas partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (Afd).

AfD-ja u përball me një sërë skandalesh kohëve të fundit – përfshirë spiunazh dhe ndërhyrje të huaja – por mbështetja për të mbeti e qëndrueshme.

“Pas breshërisë së javëve të fundit, ne jemi forca e dytë më e madhe. Dhe unë po ju them: e vetmja rrugë është lart”, tha bashkëudhëheqësja e partisë, Alice Weidel.

E djathta shënoi fitore edhe në Spanjë, si dhe përparim të konsiderueshëm në Hungari.

Në Holandë, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e dyta, ndërsa në Austri, partia me të njëjtin emër doli fituese.

Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni do të vazhdojë udhëheqjen e politikave të vendit, pasi partia e saj e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, mundi Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

“Faleminderit italianëve që vazhdojnë të na zgjedhin… Jam krenare për rezultatin”, u tha Meloni mbështetësve të saj.

E djathta ekstreme, megjithatë, nuk ka performoi mirë në Belgjikë, Çeki, Hungari, Finlandë dhe Poloni.

“Qendra po mbahet, por është gjithashtu e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Dhe kjo është arsyeja përse rezultati vjen me përgjegjësi të madhe për partitë e qendrës”, tha von der Leyen, e cila po ashtu synon rizgjedhjen.

Shumicën në Parlamentin Evropian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 184 ulëse.

Por, rezultati i së djathtës brenda Parlamentit Evropian mund ta bëjë më të vështirë miratimin e legjislacionit të ri, që mund të jetë i nevojshëm për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, ndikimit të ndryshimeve klimatike ose konkurrencës industriale nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara./ Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika