Në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Naim Murseli, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, mori vetë fjalën për t’i drejtuar pyetje dëshmitarit Leonard Ademaj – vëllait të së ndjerës.
Murseli pyeti drejtpërdrejt nëse motra e tij ndonjëherë ishte ankuar për martesën e tyre: “E kam një pyetje: Për 12 vjet martesë, a ju është ankuar ndonjëherë motra për mua apo për raportin tonë?”
Leonard Ademaj u përgjigj: “Jo, nuk është ankuar, përveç se para disa muajsh, para se të ndodhte ngjarja. E kishte prekur shumë një aferë e jotja me një të afërm të vet, por ajo vetë e kishte zgjidhur këtë punë me ty dhe ne nuk i kemi kundërshtuar veprimet e saj.”
Më pas, Murseli kërkoi sqarime lidhur me qëndrimin e tij në morg pas vrasjes, duke iu referuar deklaratës së Leonardit që ai kishte qenë aty së bashku me Kushtrim Kokallën: “Ju thatë më herët se unë paskam qenë në morg me Kushtrimin. Në sa ora ka qenë kjo vizitë, që për mua është e panjohur?”
Ademaj u përgjigj: “Orën nuk e di, veçse këtë e thotë edhe punonjësi aty, që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi.”
Tutje, Murseli përmendi edhe një udhëtim të përbashkët të realizuar dy javë para vrasjes: “Dy javë para ngjarjes, a kemi shkuar së bashku në Budva për të festuar ditëlindjen dhe a vërejtët diçka ndryshe gjatë atij udhëtimi?”
Ademaj u përgjigj shkurt: “Po, me ftesën e Liridonës.”
Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti dëshmitarin se cilin e konsideron më të besueshëm: “Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”
Përgjigjja e Leonardit ishte e prerë: “Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi: ‘Ja kam bë një sigurim Liridonës, se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht”.
“Të jepet dënim kapital” – kërkon vëllai i Liridonës
Në fund të dëshmisë së tij para trupit gjykues, Leonard Ademaj përçoi një mesazh të në emër të familjes Ademaj. Ai theksoi se edhe pse asnjë dënim nuk mund ta kthejë Liridonën, drejtësia duhet të vendosë një shembull të qartë për shoqërinë.
“Mesazhi ynë dhe i familjes sonë është i qartë, dënimi nuk na e kthen Liridonën, por duhet të jetë një shembull për të gjithë ata që tentojnë të kryejnë një krim të tillë. Duke marrë parasysh natyrën e viktimës dhe rrethanat kriminale në të cilat është kryer vrasja, vendimi duhet të jetë kapital. Sepse dënimin e ka dhënë tashmë vetë populli,” u shpreh ai.