Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se sulmet ndaj objektivave civile janë të paligjshme dhe të papranueshme, duke theksuar se vetëm një zgjidhje diplomatike mund t’i japë fund luftës me Iranin.
“Çdo shënjestrim i infrastrukturës civile, veçanërisht i objekteve energjetike, është i paligjshëm dhe i papranueshëm”, ka shkruar Costa në rrjetin social X.
Deklarata e tij vjen pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për shkatërrimin e infrastrukturës iraniane nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Ndërkohë, ish-prokurori kryesor i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Luis Moreno Ocampo, ka deklaruar më herët për BBC se lufta në Iran mund të konsiderohet si “krim agresioni” sipas të drejtës ndërkombëtare.
Mbi 100 ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë nënshkruar gjithashtu një letër të hapur, duke shprehur “shqetësim të thellë” për shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare nga SHBA-ja, Izraeli dhe Irani.