Valmir Elezi, Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), ka konfirmuar se më 5 janar 2026 është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i përkasin votimit me postë jashtë Kosovës, sipas planifikimeve të KQZ-së.
Sipas Elezit, fillimisht më 23 dhe 29 dhjetor 2025, nga dy kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr gjithsej 28,555 pako me fletëvotime. Pas procesit të vlerësimit 27,600 pako janë aprovuar, ndërsa 955 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Numërimi i këtyre fletëvotimeve ka nisur të shtunën, më 3 janar 2026, në orën 16:00, dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme, më 5 janar 2026.
Procesi i tërheqjes së pakove ka vazhduar edhe më 2 janar 2026, kur nga kutitë postare të KQZ-së në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë janë sjellë në Kosovë.
Elezi për RTV Dukagjini ka bërë të ditur se procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime është përmbyllur përfundimisht më 5 janar 2026, ndërsa nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera.
Në total, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas KQZ-së, pakot me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit, ndërsa ato që do të aprovohen do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Me qëllim të lehtësimit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, KQZ ka bërë të ditur se kutitë postare kanë qenë funksionale në 23 shtete, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.