Escobar pas takimit me Kurtin: Më premtoi se do t’i shqyrtojë propozimet e mia për dinarin

Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e së enjtes ka premtuar se do t'i shqyrtojë propozimet e tij për dinarin serb

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur për çështjen e dinarit serb.

Escobar ka theksuar se kryeministri Kurti i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit.

“Janë ata [serbët në Kosovë] anëtarët më të cenueshëm, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, ka deklaruar Escobar para medieve.

Emisari amerikan, mes të tjerash, ka theksuar se SHBA-ja mbetet partnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës, por, sipas tij, çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.

“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, ka deklaruar Escobar.

Po ashtu, ai ka thënë se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme, më 19 mars.

Ndërsa, i pyetur për kritikat për një qasje të pabalancuar të SHBA-së ndaj Kosovës, Escobar ka thënë se gjithçka që ka bërë SHBA-ja në vitin e fundit ka qenë për Kosovën.

“Çdo gjë që kemi bërë ka qenë në favor të Kosovës, menjëherë pas Ohrit ju kemi mbështetur kandidimin për KiE, ju kemi mbështetur zgjedhjet në veri, kemi qenë prapa jush pas sulmit të 24 shtatorit, ju kemi ndihmuar me Javelinët, më tregoni çfarë është e pabalancuar? Çdo gjë që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do të vazhdojmë kështu. Shpresojmë që Kosova t’i dëgjojë shqetësimet tona”, ka deklaruar mes të tjerash Escobar.

Duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, Escobar ka përmendur sfidat që paraqet rregullorja aktuale e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros si monedhë të vetme.

Ai ka potencuar se vendimi i fundit ka shkaktuar vështirësi për qytetarët serbë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika