Escobar: SHBA kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë

I pyetur se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me kthimin e forcave të saj në Kosovë, Escobar ka thënë se SHBA-të e kundërshtojnë këtë kategorikisht, dhe se nuk pret të ketë tensione të armatosura në Veri të Mitrovicës

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar





Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Republika e Kosovës ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për REL, i pyetur se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me kthimin e forcave të saj në Kosovë, Escobar ka thënë se SHBA-të e kundërshtojnë këtë kategorikisht.

“Ne e kundërshtojmë kategorikisht. Ne e hedhim poshtë këtë kategorikisht. Ne nuk e mbështesim fare këtë. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Escobar.

Nga ana tjetër, barikadimi i rrugëve në Veri të vendit po vazhdon dhe tensione të situatës janë parë që nga vikendi, ndonëse situata raportohet të jetë e qetë. Por se cili do të ishte reagimi i SHBA-së nëse Beogradi vërtet do të ndërmerrte një inkursion të armatosur në Veri, Escobar ka thënë se nuk pret që një gjë e tillë të ndodhë.

“E para, këtë nuk e pres. E dyta, po e përsëris, Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara përmes pjesëmarjes së saj në KFOR”, ka deklaruar Escobar.

Tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk u anashkalua nga intervista me Escobar. Lidhur me këtë, ky i fundit ka thënë se asociacioni duhet të hyjë në agjendën e takimit të radhës.

“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës. Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të martë do ta presë në takim përsëri përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, edhe pse me të ishte takuar një ditë më parë.

Bashkë me Escobar, në vizitë Kurtit do t’i shkojë edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim pritet të diskutohet për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave nga serbët e asaj ane.





Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika