EULEX konfirmon se i është kërkuar ta ndërmjetësojë transferimin e Pantiqit

EULEX ka konfirmuar për REL se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili u arrestua më 10 dhjetor, në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Kosovës, më 6 dhjetor

Zyra e EULEX-it

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

“Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje, shkruan REL.

Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor, në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Autoritetet në Kosovë dyshojnë se ai ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, më 6 dhjetor.

Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, shqiptoi një muaj paraburgim.

Po ashtu, EULEX tha se përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky mision është në kontakt edhe me avokatin e Pantiqit, “i cili ka kërkuar nga misioni që ta monitorojë rastin”.

“Në linjë me mandatin tonë, misioni po monitoron këtë rast për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës. Ne përsërisim se është shumë e rëndësishme që të drejtat e D.P. të respektohen plotësisht në bazë të ligjit”, u tha në përgjigje.

Ndërkaq, avokati i Pantiqit, Nebojsha Vllajiq, pretendon se klientit të tij po i shkelen të gjitha të drejtat e njeriut.

“Ai ka të drejtë të vizitohet nga një avokat, ta vizitojë familja e tij, të marrë trajtim [mjekësor] dhe gjithçka tjetër. E gjithë kjo është mohuar për faktin se nuk dihet ku është. E vërteta e vendndodhjes së tij duhet të publikohet”, ka thënë Vllajiq për Radion Evropa e Lirë.

Edhe zyrtarët serbë kanë akuzuar autoritetet në Kosovë për trajtim jo të duhur të Pantiqit.

Policia e Kosovës, ditë më parë, hodhi poshtë pretendimet se Pantiqit nuk po i ofrohen barnat e nevojshme.

Arrestimi i Dejan Pantiqit ka nxitur disa serbë lokalë që të vënë barrikada më 10 dhjetor, në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Deri tani nuk ka pasur konfirmim se Pantiq është transferuar në ndonjë qendër paraburgimi dhe nëse e kanë penguar barrikadat në veri, transportimin e tij. /REL/

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika