Eurodeputeti Riho Terras përshëndet vendimin e Kosovës për dokumentet e serbëve: Hap i rëndësishëm drejt integrimit

Eurodeputeti dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’u ofruar leje të përkohshme qëndrimi dhe njohje të letërnjoftimeve pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës.

Ky vendim lidhet me zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atij për automjetet, që synojnë rregullimin e statusit administrativ të qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por përdorin dokumente të lëshuara nga Serbia.

Në një reagim në platformën X, Terras e vlerësoi pozitivisht marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Urime kryeministrit Kurti për marrëveshjen e arritur sot falë BE-së! Besoj se kjo është e dobishme për BE-në dhe Kosovën. Shumë e rëndësishme që më pas, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun do të punojë me Qeverinë e Kosovës dhe serbët për të integruar shërbimet shëndetësore dhe arsimore në kornizën ligjore të Kosovës, në përputhje me marrëveshjen!”, shkroi Terras.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës erdhi pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.

Ky hap është përshëndetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Serbia, duke u konsideruar si një zhvillim që mund të ndihmojë në procesin e integrimit institucional të komunitetit serb në Kosovë.

Ndërkohë, Ligji për të huajt dhe ai për automjetet kanë filluar të zbatohen që nga 15 janari, fillimisht përmes një fushate informuese për qytetarët lidhur me procedurat dhe rregullat e aplikimit të këtyre ligjeve.

Të fundit nga rubrika